Fatos Nano: Opozita e përçarë nuk i fiton dot zgjedhjet, pushtetin e merr përsëri Berisha
Ish-kreu socialist, Fatos Nano tha dje se e majta me këtë përçarje rrezikon fitoren e zgjedhjeve, ndërsa ka akuzuar kryetarin aktual socialist se ka përçarë të majtën dhe se nuk po punon për fitoren e saj. Këtë deklaratë Nano e bëri gjatë emisionit Opinion të gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan. Nano u shpreh se pas zgjedhjeve të 28 qershorit do të ketë një reformimin nga e para e PS-së.
Zoti Nano ju ish-kryetari i PS-së që e bëtë këtë parti anëtare të Internacionales Socialiste, do të jeni apo jo në listën e PS-së për zgjedhjet e 28 qershorit?
S’e kam lidhur asnjëherë interesin tim me një karrige të caktuar, aq më pak me atë të deputetit. Unë vazhdoj të jem i preokupuar për fatet e familjes politike dhe fatet e politikës shqiptare e cila nuk mund të shëndoshet pa një opozitë të fortë. Duke shkuar në të gjitha aktivitetet dhe duke ruajtur të gjitha kontaktet me dhe pa pjesëmarrjen në seanca, të cilat janë pasoja logjike të asaj që ndodhën në 2005 dhe asaj që ndodhin tashmë prej 4 vjetësh tani në PS, e cila jo vetëm u grabit apo u ble nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, por edhe u deformua, u degradua, iu fshi memoria dhe arkivi i eksperiencës qeverisëse, tani po transformohet nga pikëpamja e përfaqësuesve me njerëz pa identitet dhe që nuk kanë asnjë rekord publik në politikë apo administrimin publik të shtetit. Unë nuk mund të ndërpres aktivitetin politik, nuk mund të mos i kushtoj vëmendje zhvillimeve politike edhe në PS vetëm e vetëm nga karrigia e parlamentarit. Kjo që po ndodh me listat e përfaqësuesve zyrtare të PS për zgjedhjet 28 qershor është i vetmi akt i vërtetë pashmangërisht publik i politikës okulte, të mbyllur pas perdeve të interesave aspak përfaqësuese që Edi Rama ka ushtruar në PS deri më sot. Fakti që ende s’janë shpallur listat, fakti që ky proces u shty deri në sekondat e fundit dhe nuk po bëhen detyra politike të partisë më të madhe të opozitë përballë institucioneve zgjedhore, fakti që edhe në këto minuta selitë e PS janë në kaos të plotë, do të thotë...
Nga i keni këto informacione..
Nga socialistët e vërtetë që kanë qenë vazhdimisht të shqetësuar për fatet e familjes së tyre politike, por që mbeten në kontakte të vazhdueshme me kryetarin e tyre historik. Ky fakt tregon se deri në këto çaste të fundit Edi Rama nuk mund të mos tregonte kthetrat e veta që e kanë shqyer PS-në dhe i kanë humbur identitetin dhe kontributin e saj në politikën shqiptare. Pra tani po vijnë produktet e Ramës në lista dhe natyrisht ka rezistencë, ka kaos dhe kjo druaj se do të sjellë një pështjellim të PS në fushatën elektorale.
Nëse do ishit i pari në listën e kandidatëve të PS-së do të shigjetonit Edi Ramën në këtë mënyrë?
Jo! Më lejoni t’ju them se nëse do kishte ndodhur përfshirja spekulative në këto lista e emrit tim, unë do ta refuzoja atë në mënyrë kategorike mbi bazën e kësaj analize, që ka qenë publike, dhe e sintetizuar. Unë e kam refuzuar partinë e Edi Ramës në këto 4 vjet. Jam i të njëjtës analizë, se PS e sotme nuk është PS e vërtetë, nuk është partia që ka kontribuar në revolucionarizimin e legjislacionit, të klimës politike në vend etj. PS e sotme nuk ka akumuluar vlera dhe një arkiv qeverisës që u vlerësua nga familja internacionale. Nuk është më partia që të jetë në gjendje të konkurrojë përballë sfidave të ekonomisë dhe konkurrencës. Për pasojë, unë afirmoj nevojën e një transformimi pozitiv që nis nga e para të së majtës shqiptare, të PS dhe të forcave të tjera opozitare që do duhet ta kapërcejnë realitetin edhe gjatë këtij muaji elektoral, që mesa duket nuk do arrijë t’i çojë në një maxhorancë qeverisëse, kjo do të kërkojë reformimin që do nisë më 29 qershor nga e para.
Keni ide se çfarë po ndodh me listat e Partisë Socialiste?
Besoj se listat e PS-së karakterizohen nga dy lloj përfaqësuesish; nga ata që kanë turp nga e kaluara e tyre politike dhe nga njerëz që janë viktima apo promotorë interesash afariste dhe private që përpiqen me të cilat përpiqen të manipulojnë demokracinë.
Ç’do të thotë njerëz që kanë turp nga e kaluara?
Ju besoj keni mundur të përcillni në media përmes debateve disa pamje të dhimbshme të mungesës së kurajës së përfaqësuesve të PS për të evokuar vlera dhe dosje të rëndësishme të eksperiencës së tyre politike ndër vite. Kjo ndodh sepse kryetari dhe kursi zyrtar i PS-së, i kanë ndaluar të përmendin kontaktin me të kaluarën 15 vjeçare të PS-së.
Shumica e tyre janë të rinj?
Shumica janë përfaqësues të kryesisë dhe asamblesë, të cilëve nuk u lejohet të revokojnë eksperiencën dhe ekspertizën e gjatë që ngritëm gjatë periudhës 15-vjeçare të socialistëve, por dhe në raportet qeverisëse pozitive të vendit me ndërkombëtarët. Edhe përfaqësuesit me të cilët unë kam bashkëpunuar janë në një gjendje të mjeruar në debatet e sotme përballë një realiteti dhe propagande dhe përfaqësuesve të qeverisë me të cilët duan të përballen, ku nuk shfaqet asnjë politikë, formulë, asnjë projekt, strategji që duhej të vazhdonte të zbatohej dhe që ka qenë pjesë e matricave konkurruese ku ata janë rritur dhe vetë. Për pasojë, një parti pa memorie është e destinuar të vdesë.
Ka të rinj që jashtë shkolluar jashtë, që nuk kanë përgjegjësi për të shkuarën as dhe për 2005 dhe kanë një ekspertizë të mirë analize që krijojnë profilin e politikës së re?
Unë besoj se publiku i kupton se sa të lehta janë argumentet, që parashtron kryetari socialist. Nuk dua të merrem gjerë e gjatë me këtë fasadë dhe imazh, që nuk bën gjë tjetër veçse sjell në vëmendjen e publikut vetëm modelin bashkiak të Edi Ramës.
Është modeli që ka fituar 3 herë zgjedhjet?
Ky model nuk është i socialistëve. Askush nga socialistët nuk ka kontribuar apo përfituar në administrimin e punëve të bashkisë deri më sot. Asnjë nga ekspertët apo militantët nuk ka qenë i pranishëm në administrimin e punëve të bashkisë. Ka një grup teknokratësh që përgjithësisht punojnë prapa dyerve të mbyllura dhe që kanë qenë edhe në vëmendjen e debatit të sotëm publik dhe politik për menaxhimin e një numri të konsiderueshëm fondesh publike, të hapësirave publike në interes të grupeve të sipërmarrjes, që nuk përfaqësojnë ende edhe sot e kësaj dite modelin transparent të një sipërmarrjeje konkurruese në tregun global ku po integrohemi. Në bashki punohet vetëm mbi bazën e projekteve të manipuluara nga zyra e kryetarit.
Pse e keni mbështetur dy herë Edi Ramën?
Kjo është filozofia dhe mënyra që unë kam promovuar mbështetur të gjithë elementët, talentet që kanë dashur të afrohen dhe të kontribuojnë brenda të majtës progresiste shqiptare. Ka qenë e njëjta mbështetje si Ilir Metës, Pandeli Majkos ndaj 54 ministrave e dhjetëra e dhjetëra, që u rritën bashkë me PS.
Si ka është opozita e sotme në këndvështrimin tuaj?
Nuk besoj se opozita e sotme është në gjendje të konkurrojë apo fitojë jo debate të pjesshme apo beteja elektorale. Nga gjendja aktuale e përçarë opozita e majtë, nga gjendja konfliktuale që PS ka sot me politikën e re por dhe me gjithë opozitare maxhoranca që do të votojë majtas të mund të mpikset në një maxhorancë qeverisëse.
Ju po thoni se opozita do humbë zgjedhjet?
Unë druaj se opozita e sotme nuk është në gjendje të krijojë një maxhorancë qeverisëse. Pasojat mund të jenë gjithëfarësh, që ka rimarrja e pushtetit nga e djathta e deri tek një maxhorancë e paqëndrueshme pas zgjedhjeve. Ajo që do karakterizojë zhvillimin politik në zgjedhjet e ardhshme do të jetë mbartja e konfliktit te opozita tek mandatet dhe përfaqësimi në Kuvend dhe tek proceset që lidhen me krijimin e maxhorancës qeverisëse. Në gjendjen e sotme të përçarë opozita nuk mund të fitojë dhe të krijojë maxhorancë qeverisëse.
Edi Rama nuk do jetë në listat e kandidatëve, sipas konfirmimit të zotit Ben Blushi. Çfarë kostoje mund ti japë kjo PS?
Ky është një nga kulmet me të cilat socialistët dhe opinioni publik është mësuar nga të papriturat e Ramës. Ky është një veprim politikisht i papërgjegjshëm. Pra kryetari i formacionit që pretendon të transformojë Shqipërinë nis ekipin e tij në betejë pa komandant. Kjo është një ushtri i demotivuar, e shpartalluar. Kryetari ende nuk ka shpallur ekipin e përfaqësuesve që do udhëheqë fushatën.
Zoti Rama shpalli një ekipi në tribunë..
Nuk po flas për shfaqjet festive dhe mediatike. Po flas për një fushatë serioze. Media ka rolin e saj por gjendja e terrenit është shumë larg ndaj atyre që shohim në media. Baza socialiste është e çorientuar, e demotivuar. Ka një konflikt mes modelit të bashkisë dhe modelit tonë parlamentar. Pra duket se kjo është sinteza e pasigurisë me të cilën hyn Rama i PS-së në zgjedhjet e 2009. Nuk ka shpallur ekipin dhe as objektivat e PS-së për këto zgjedhje.
Kishte një program prej 1000 faqesh..
Nga profesor Meidani mësova sot se ajo dosje ishte vetëm karton pa asgjë brenda, pa përmbajtje brenda. Edhe drejtuesit e zgjedhur për programin politik të PS nuk e kanë programin e PS dhe në pjesët që kanë, vlerësojnë se është pa përmbajtje. Ai program prej 1000 faqesh dhe 1000 fletësh është shumë më e varfër se programet dhe angazhimet që ne kemi lënë në 2005 në tryezat tona.
Ju thatë se lista e sotme e PS-së përbëhet nga njerëz pa memorie politike dhe promotorë të interesave afariste. Cilët janë këta?
Ngërçi dhe heshtja me të cilën paraqiten në debatet politike shumë syresh lidhet me shesh, projekte dhe interesa të cilat kanë shumë para nga prapa që janë në zbatim nën juridiksionin e bashkisë së Tiranës. Ju e dini se shumë janë larguar jo vetëm nga PS por dhe grupi parlamentar sepse kanë denoncuar këto gjëra. Në kryesinë e PS dominojnë ndërtuesit e rinj apo prindërit e ndërtuesve të sotëm.
Si ka qenë opozita e drejtuar nga Edi Rama?
Kjo opozitë ka qenë jo vetëm e flashkët e shfokusuar nga axhenda e punëve kombëtare dhe nga axhenda e detyrave të shtetit. Ka qenë një opozitë që nisi me bilbila dhe përfundoi me një marrëveshje kulte, të çuditshme për ndryshimin e kushtetutës, për anëtarin e KQZ dhe më pas me ndryshimet e tjera. Kushtetuta kishte nevojë të prekej por jo në atë thellësi ku u prek. Pra mbi të gjitha opozitës së sotme i mungon aftësia për të bërë debat politik, për të ofruar alternativa për qeverisje.
A ka ndonjë marrëveshje mes jush dhe zotit Berisha për të çuar në opozitë zotin Rama?
Mua më duket sikur zoti Rama s’do të fitojë zgjedhjet, sikur ka një pakt me Berishën. Ai është kaq i vonuar sikur të ishte në 2007 kur s’donte të kandidonte. Jo vetëm nuk merr pjesë vetë në zgjedhje, por dhe listat nuk i bën duke i lënë të gjithë varur. Rama nuk e ka shijuar asnjë ditë opozitën, në krye të një bashkie me një buxhet me 70 milionë euro në vit. Unë nuk kam hezituar të bëj marrëveshje politike me Berishën, por në mënyrë transparente dhe në sy të institucioneve. Dua të pyes, në ç’mënyrë u bë marrëveshja Rama-Berisha për ndryshimin e Kushtetutës?! Këtë nuk e njohim fare. Këtu bëjmë dallimin mes dy filozofive tona që janë diametralisht të kundërta. Nuk do dal në pension politik pa nxjerrë Berishën në pension politik.
Nëse Rama krijon një PS të re ?
Unë nuk shoh të ketë një politikë apo aftësi politike në drejtimin e PS, por vetëm slogane dhe shterpësi idesh dhe argumentesh politike, që vijnë me diploma perëndimore, vijnë nga Wall Strite, i cili po mbyll zyra dhe po pushon njerëz. Nuk mund të krijohet asgjë në zbrazëti dhe nga asgjë. Mandati i parë qeverisës i socialistëve pas krizës së ‘97 e vuri qeverinë në pozitat e zjarrfikësit. Sapo u normalizua kjo gjendje doli grushti i 18 shtatorit. Vetëm mandati i 2-të i socialistëve na dha mundësi të stabilizojmë zhvillimin e vendit.