E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, asnjë semafor në qytetin me 120 mijë banorë

 

SHKODER / RIDVAN DIBRA

Shkodra është i vetmi qytet i madh në Shqipëri që nuk ka semaforë. Këmbësorët mund ta kalojnë rrugën nga njëra anë e saj në tjetrën vetëm në rastet kur drejtuesi i mjetit tregohet "zemërgjerë". Mungesa e semaforëve është mjaft shqetësuese, duke pasur parasysh se në Shkodër jetojnë më shumë se 120 mijë banorë. Qarkullimi i mjeteve arrin kulmin sidomos në orët e mëngjesit dhe të drekës. Rreth 8 vite më parë, në tri zonat kryesore të qytetit u vendosën semaforë, por ato nuk funksionuan si të tilla për asnjë moment. Ky problem është bërë mjaft shqetësues si për këmbësorët, ashtu edhe për drejtuesit e mjeteve. Mungesa e semaforëve është kthyer në shqetësim edhe për sektorin e qarkullimit rrugor në Shkodër. Punonjësit e policisë që mbulojnë qarkullimin duhet të përballen me një fluks shumë të madh pune, pasi është shtuar ndjeshëm fluksi i automjeteve, jo vetëm të qytetit, por edhe ato që vijnë nga rrethe të tjera. Para disa vitesh, drejtues të bashkisë pohuan se shkak i mosfunksionimit të semaforëve ishte mungesa e energjisë elektrike. Por, tani që furnizimi me energji është normalizuar del një problem tjetër: semaforët e vendosur tetë vite më parë nuk u shërbejnë më rrugëve ku janë vendosur. Kjo, për faktin se gjatë kësaj periudhe, rrugët e tre zonave kryesore të qytetit kanë pësuar ndryshime në trajektoren e lëvizjes së mjeteve. Ata tashmë kanë dalë jashtë funksionimit. Bashkia e Shkodrës ka hartuar një projekt që parashikon vendosjen e semaforëve të tjerë, por ende nuk dihet se kur do të zbatohet. Mungesën e semaforëve bashkia është munduar ta zgjidhë me anë të rreth-rrotullimeve. Rreth 7 vite më parë, një fond prej 80 mijë dollarësh të akorduar nga USAID, bëri që qyteti të mbulohet i tëri me sinjalistikën e duhur, konform kodit rrugor dhe atij europian. Për këtë tabelat u prodhuan në Itali. Por, e gjithë kjo punë ka shkuar dëm, pasi njerëz të papërgjegjshëm i kanë shkulur nga vendi edhe tabelat e qarkullimit rrugor. Mungesa e semaforëve, por edhe i sinjalistikave rrugore ka bërë që në qytetin e Shkodrës të shkaktohet konfuzion në qarkullim. Ata që hasin më shumë vështirësi janë fëmijët dhe të moshuarit. Jeta e tyre vihet në rrezik në rastet kur tentojnë të kalojnë rrugët. Bashkia dhe qarku garantuan për këtë shqetësim të qytetarëve se do të punojnë për gjetjen e fondeve për kompletimin sërish me tabelat përkatëse të rrugëve të qytetit. Por, problematika e semaforëve ende nuk dihet se kur do të gjejë zgjidhje përfundimtare. Jo rrallëherë janë shkaktuar aksidente të rënda nëpër rrugët e qytetit. Mjetet janë përplasur me njëra-tjetrën nëpër kryqëzime, por shpesh edhe qytetarët janë kthyer në viktima të këtij kaosi të krijuar thuajse që prej një dekade më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›