Pronat në Malësinë e Madhe, ligji përkëdhel fajtorët
SHKODËR - Prokuroria e Shkodrës ka pushuar hetimet lidhur me veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”, për të cilët është akuzuar Komisioni i Kthimit e Kompensimit të Pronave në Malësi të Madhe. Ndonëse në vendimin e saj prokuroria shprehet se KKKP ka bërë disa shkelje ligjore dhe ka konsumuar elemente të veprave penale të “shpërdorimit të detyrës”, duke qenë se kjo vepër penale është konsumuar në vitet 2000-2002, ata nuk mund të penalizohen dhe çështja nuk mund të shkojë as në gjykatë. Ka qenë drejtoria e policisë së Shkodrës dhe sektori i krimit ekonomik e financiar ai që më 28 korrik 2008 ka depozituar pranë prokurorisë së Shkodrës materialet e grumbulluara lidhur me abuzime e parregullsi deri dhe falsifikime në dhënien e dokumenteve të kthimit e kompensimit të pronave individëve të ndryshëm në rrethin e Malësisë së Madhe. Kanë qenë denoncimet e qytetarëve të ndryshëm të kësaj zone, të cilët nuk kishin arritur të merrnin pronën e trashëguar, pasi ajo u ishte kthyer me vendim të komisionit përkatës të këtij rrethi personave të tjerë, ata që kanë nxitur antikrimin ekonomik e financiar të bëjë hetimet përkatëse. Në vendimin e saj për pushimin e çështjes, prokuroria e Shkodrës thekson se pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Malësinë e Madhe janë paraqitur persona që kanë dashur të regjistrojnë pronën, e cila u është kthyer nga KKKP-ja në vitet 1995-2002 , kryesisht në vitet 2000, 2001 dhe 2002. Sipas prokurorisë, gjatë hetimeve ka rezultuar se janë dhënë vendime nga Komisioni i Kthimit e Kompensimit të Pronave të këtij rrethi në data përpara se të mblidhej komisioni. Të tilla vendime, sipas prokurorisë janë ato nr. 47, i vitit 2000, nr. 18, 19, 20 e 51 të vitit 2001 etj, ku data e vendimit është ndryshe nga data e mbledhjes së protokolluar të komisionit dhe madje përpara se të bëhej mbledhja. Gjithashtu është vërejtur se ky komision në vendimet nr. 5, 6 e 7 të datës 18 maj 2000 i ka kthyer pronat disa shtetasve pa administruar në dosjet përkatëse vërtetimet e kadastrës mbi pronën e pretenduar për kthim, pasi këto vërtetime kanë një datë të mëvonshme. Prokuroria ka vërejtur se KKKP-ja në rrethin e Malësisë së Madhe, në aktivitetin e tij ka shkelur nenin 26 të ligjit për kullotat e livadhet, i cili ka hyrë në fuqi që në vitin 1995. Kjo shkelje evidentohet në faktin se, sipas këtij ligji, ish-pronarët ose trashëgimtarët e kullotave e livadheve mund të kërkojnë kthimin e pronave në komisionet e rretheve brenda një viti nga dita e hyrjes në fuqi e këtij ligji, dhe me kalimin e këtij afati dokumentet nuk pranohen nga komisionet e rretheve. Por në Malësinë e Madhe, KKKP-ja këto dokumente i ka pranuar tej çdo afati të parashikuar në ligj duke i shqyrtuar e vendosur në favor të kërkuesve në vitet 2000 e 2001. Gjithashtu, hetimet e prokurorisë kanë nxjerrë se komisioni nuk ka bërë verifikimin e vendimeve të Gjykatës së Shkodrës të sjella nga kërkuesit dhe janë konstatuar raste kur vendimet e gjykatës, të cilave u është referuar KKKP-ja në Malësi të Madhe për t’iu kthyer pronat individëve të ndryshëm, nuk kanë lidhje me shtetasit përfitues, por janë vendime që gjykata i ka dhënë në favor të personave të tjerë. Kjo ka sjellë dëmtime të pronës që i përket shtetasve të tjerë dhe konflikte të ndryshme, pasi, ndërsa gjykata i ka njohur të drejtën e pronësisë një shtetasi , KKKP-ja ia ka kthyer me vendim përkatës këtë pronë dikujt tjetër. Anëtarët e këtij komisioni në Malësi të Madhe kanë bërë dhe shkelje të ligjit për ruajtjen e dokumenteve, pasi duhet të përgjigjen dhe për humbjen e 100 dosjeve për kthimin e kompensimin e pronave në këtë rreth. Me mbylljen e aktivitetit të komisioneve të rretheve në vitin 2001 dhe kalimin e dokumentacionit në agjencitë e kthimit e kompensimit të pronave në qark, këto dosje nuk janë dërguar në Shkodër. Faktin e zhdukjes së dosjeve të kthimit e kompensimit të pronave në rrethin e Malësisë së Madhe e kanë publikuar edhe drejtuesit e agjencisë në qarkun e Shkodrër. Besnik Kastrati, drejtori i agjencisë për kthim e kompensim pronash në qarkun e Shkodrës, në korrik të këtij viti ka deklaruar se janë mjaft shtetas nga Malësia e Madhe që janë paraqitur në agjencinë rajonale të kthimit e kompensimit të pronave për të marrë vërtetimin përkatës pasi ua kërkon hipoteka për të bërë regjistrimin e pronës, por janë befasuar kur kanë mësuar se dosjet e tyre nuk gjenden. Kastrati pohon se këta persona disponojnë vendimin e komisionit vendor të kthimit e kompensimit të pronave, por dosja e tyre mungon. “Me procesverbal, në vitin 2001, me grumbullimin e dosjeve për tri rrethet e qarkut të Shkodrës në agjencinë e ngritur këtu në nivel qarku, nga rrethi i Malësisë së Madhe janë dorëzuar në Shkodër 165 dosje. Numri i personave të paraqitur në agjencinë tonë nga ky rreth është më i madh. Personat që me vërtetimet përkatëse të viteve 1995-2001 janë paraqitur pranë agjencisë për të kryer proceduarat që u nevojiten, ka rezultuar se nuk i kanë dosjet këtu, ndaj ne nuk mund t’iu japim asnjë vërtetim. Këto dosje që mungojnë nuk dihet se ku kanë shkuar, ndërsa ne si agjenci disponojmë vetëm atë që kemi marrë në dorëzim në vitin 2001 me procesverbal”,- thotë Kastrati. Deri në shkrirjen e aktivitetit të KKKP-së në Malësi të Madhe dhe kalimin e tyre në Shkodër, ky komision i ka pasur zyrat në Bashkinë e Koplikut dhe ky objekt nuk është dëmtuar nga trazirat e vitit 1997, por aty nuk ndodhen dosjet e kërkuara. Pushimi i çështjes penale në ngarkim të KKKP-së është bërë sipas nenit 46/c, ku përcaktohet parashkrimi i ndjekjes penale, ndërsa ata që dëmtohen janë ish-pronarët e Malësisë së Madhe, të cilëve u është marrë prona nga të tjerë ose u kanë humbur dosjet.
Ligji dhe drejtësia
Lidhur me këtë fakt përfaqësues të organit të akuzës sqarojnë se është ligji ai që përcakton se në raste të tilla, duke kaluar pesë vjet nga koha kur diçka ka ndodhur, gjithçka parashkruhet. Si rrjedhojë, në respekt të këtij ligji, të gjithë personat e dëmtuar duhet të gjejnë mënyra të tjera për të gjetur drejtësinë e tyre, sepse fajtorët mbeten të pandëshkuar.