Burrel, vidhet shkolla e fshatit Gërman
BURREL - Persona ende të paidentifikuar për policinë e Burrelit kanë grabitur një natë më parë shkollën e ciklit të ulët në fshatin Gërman të komunës Komësi. Kalimtarë të rastit kanë konstatuar dje në të gdhirë se ishin thyer me dhunë dyer e dritare të kësaj shkolle. Janë lajmëruar fillimisht dy mësueset e shkollës, të cilat kanë parë se si mjediset e brendshme të saj ishin rrënuar totalisht. Grabitësit sipas mësueseve nuk kanë kursyer as mjetet didaktike dhe orenditë e shkollës, e cila ndodhet në qendër të fshatit. Pleqësia e fshatit Gërman dhe drejtuesit e komunës Komësi kërkuan penalizimin e personave që guxuan të thyejnë e grabisin me dhunë shkollën ku mësojnë më shumë se 100 nxënës. Kjo është hera e tretë që shkolla e fshati Gërman vidhet e rrënohet, ndërkohë askush nuk është penalizuar. h.p