Metalurgët e Burrelit: Duam firmën austriake
BURREL - Një vit më parë uzina e ferro-kromit në Burrel e ka ndalur prodhimin. Nënkontraktori Mario Apolloni, pa deklaruar falimentimin u largua nga vendi ynë dhe nxori të papunë 120 metalurgë, 110 prej të cilëve paguhen nga firma koncesionare ACR me 50 për qind të pagës së tyre të mëparshme. Metalurgët kanë harruar tashmë përplasjet me pronarin italian të firmës Ital-Crom dhe janë të kënaqur me pagesën që përfitojnë pa punuar fare. Çdo muaj ata u drejtohen automateve të bankave private dhe përfitojnë shumën e përcaktuar në kontratën e lidhur mes punëtorëve, sindikatës dhe sipërmarrësit. Çdo metalurg përfiton aktualisht më shumë se 200 euro në muaj, pa punuar fare në uzinë, dhe kjo konsiderohet një shumë e kënaqshme, sidomos nga këshilli sindikal i tyre. Ditët e fundit metalurgët janë informuar se pronarët e "Kurum" kanë nisur negociatat për të marrë me koncesion UFK-në Burrel. Sindikalistët e kundërshtojnë këtë tentativë duke u shprehur se ACR duhet të vijojë të jetë firma koncesionare e kësaj uzine deri në dorëheqjen e saj. h.p