E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tare “mund” Murinjon, Lacio fiton Superkupën



Lacio e Igli Tares fitoi Superkupën e Italisë, pasi mundi 2-1 Interin e Hoze Mourinjos, një ndeshje e luajtur në Kinë. Për Lacion, fituese e Kupës së Italisë, shënuan Matuzalem e Rocchi, ndërkohë që për Interin, kampioni në fuqi i Serisë A, shënoi blerja e re, Samuel Eto’o. Pas ndeshjes, trajneri i Interit, Hoze Murinjo, pohoi për mediat italiane se goli i Matuzalem ishte shënuar me krahun e majtë të tij. Gjithsesi, ky ishte trofeu i parë sezonal (i merituar) i Lacios, por përpara se takimi të luhej në stadiumin “Foleja e Zogut” të Pekinit, mediat italiane raportuan një lajm të bujshëm në lidhje me “007”-ën e dërguar nga trajneri i Interit, Hoze Murinjo për të “vjelur” informacione nga një stërvitje e Lacios, ky drejtori sportiv shqiptar i bardhëkaltërve, Igli Tare, ishte pjesë e një “lojë të vërtetë kundëragjentësh”, duke ia bërë “lemsh” punët Murinjos. Interi dhe Lacio do të përballeshin të shtunën (dje)në Pekin për Superkupën e Italisë, ndaj Murinjo kishte vendosur që të dërgonte një nga të besuarit e tij që të spiunonte seancën e djeshme stërvitore të skuadrës bardhekaltër. Asistenti i trajnerit të Interit, që ishte përzierë mes tifozëve, jo vetëm që do t’i raportonte mbi të gjitha skemat e përdorura nga trajneri Balardini, por edhe do ta filmonte takimin. Trajneri i Lacios është vënë në dijeni të “007” të dërguar nga Murinjo në kampin e bardhëkaltarëve dhe ka vendosur të diskutojë me Taren në lidhje me këtë çështje. Pas një bisede të shkurtër, trajneri dhe drejtori sportiv i kanë befasuar të gjithë: biondi shqiptar ka veshur tutat sportive dhe është futur në fushë. Ai luajti gjatë gjithë ndeshjes në rolin e mesfushorit, madje shënoi edhe golin e parë në ndeshjen brenda skuadrës. Sigurisht që kjo lëvizje ka çorientuar totalisht “spiunin” e Murinjos, por edhe vetë teknikun portugez, pasi dihet mirë se Tare nuk ka shanse të luajë në ndeshjen kundër Interit. Gjithçka është bërë për të ngatërruar skemat. Media italiane, bën të ditur se lëvizja e Balardinit ishte ide e drejtorit sportiv, Tares. Mesa duket “loja” funksionoi për Lacion, pasi fituan Superkupën e Italisë.

Ndërrrohet trajneri, Hyka, sërish i abonuar me stolin

Jahmir Hyka edhe për sezonin që porsafilloi të Bundesligës, duket se do t’i ketë minutat me pikatore, ashtu si edicionin e kaluar kur mesfushori shqiptar luajti vetëm pesë ndeshje, por asnjëherë me minuta të plota. Edhe në ndeshjen hapësë të këtij sezoni, Mainc 05 barazoi 2-2 në shtëpi me Bajer Leverkuzenin, në javën e parë të Bundesligës 1 gjermane, por mesfushori i Kombëtares shqiptare ishte në bankinë, teksa trajneri Tuchel nuk i dha mundësinë për t’u aktivizuar. Golat për Maincin u shënuan nga Hoogland dhe Gunkel (direkt nga gjuajtja e lirë), ndërsa për Bajer Leverkuzenin nga Derdiyok dhe Kiesling. Jahmir Hyka është thirrur për ndeshjen miqësore ndërkombëtare të Shqipërisë ndaj Qipros (12 gusht). Hanoveri i Altin Lalës humbi në transfertë 1-0 kundër Hertës së Berlinit, me një gol të shënuar nga Kacar në minutën e 82-të. Nurembergu i Albert Bunjakut humbi në shtëpi 2-1 me Shalke 04, kosovari qëndroi në bankinë gjatë gjithë ndeshjes.

Fiton Ismaili

Ingolstadt 04 i Emin Ismailit fitoi thellësisht 5-0 kundër Rot Vajs Erfuhrt, në javën e tretë të Bundesligës 3. Ismaili hyri si zëvendësues në minutën e 63-të në vend të Leitl. Dinamo Drezden e Bekim Kastratit humbi në shtëpi 0-3 me Sandhauzen. Sulmuesi kosovar luajti si zëvendësues nga minuta e 57-të në vend të Soltaut.

Krivbasi, vazhdon seriali i humbjeve

Krivbasi i “katër muskutjerëve” shqiptarë humbi 3-1 në transfertën me Tavrian. Në fushë nga fillimi ishte mesfushori Ervin Bulku, ndërkohë që Agolli luajti si zëvendësues nga minuta e 62-të. Munguan Hidi e Bylykbashi. Krivbasi nuk ka marrë asnjë pikë në katër javët e para të kampionatit ukrainas. Zarja Lugansk e Parid Xhihanit pësoi një humbje të thellë 4-0 në transfertën me Karpatin, në ndeshjen e vlefshme për javën e katërt të kampionatit ukrainas. Sulmuesi kavajas luajti gjatë gjithë takimit. Zarja Lugansk ka grumbulluar vetëm njw pikw (njw barazim) nga 12 tw mundshmet.

Ljuboja: “Ikja e Canës, humbje e madhe për Marsejën”

Lorik Cana ka disa javë që është bërë pjesë e Sandërlendit në kampionatin anglez, por në Francë vazhdojnë ta kujtojnë me respekt e vlerësim. Sulmuesi i Grenoble, Danijel Ljuboja, tha përpara ndeshjes kundër Olimpikut të Marsejës,se formacioni marsejez është më i dobët se sezonin e kaluar. “Blerjet e këtij viti kanë qenë të mira, por unë mendoj se Marseja ka humbur lojtarë të rëndësishëm, si Lorik Cana. Për mendimin tim, ata ishin më të mirët vitin e kaluar. Kanë nevojë të rindërtojnë ekipin”, - tha Ljuboja gjatë një konference për shtyp.

Talentet
Lika, gardiani shqiptar i B93 Kopenhagenit

Portierët shqiptarë vazhdojnë të lënë gjurmët e tyre në Europë, madje “gardianë” të rinj po rriten profesionalisht në ambientet sportive të tyre. Samir Ujkani i formuar në akademinë e Anderlehtit (U-19) në Belgjikë, përpara se të transferohej te Palermo në Itali (Seria A), tashmë në forcë te Novara (Seria C1), është përfaqësuesi më tipik, por emra të tjerë si Enea Koliqi (Iraklis) dhe Stiv Frashëri (Aris), apo dhe më të rinj si Xhino Sejdo(Venecia U-19), Deljan Bregasi (Sampdoria U-19) po i japin një dimension rinor e të sigurt ardhmërisë së “katërkendëshit” shqiptar. Një emër tjetër që po përmendet vazhdimisht, si një portier i talentuar është dhe ai i Geri Likës, i cili mbron fanellën e B93 Kopenhagen në Danimarkë. Më parë, Foto Strakosha (me disa ekipe në Greqi), Perlat Musta e Ilir Bozhiqi në Rumani, Lulian Gjeloshi në Angli (Hendon FC), Arben Kasolli (me disa skuadra në Greqi e Holandë), të cilët kanë qenë disa nga pionierët e “gardianëve” shqiptarë në Europë, kanë luajtur me sukses në kampionatet europiane, ashtu sikundër janë aktivë edhe portierët aktualë të Kombëtares shqiptare A dhe të moshave (U-17 deri U-21): Arjan Beqaj (Anothosis Famagusta, Qipro), Isli Hidi (Krivbas, Ukrainë), Ilion Lika (Terek Grozni, Rusi).
“Tashmë kam fituar përvojë si portier, - tha 18-vjeçari i talentuar, Geri Lika, portieri i B93 Kopenhagen U-18 dhe një nga gardianët e Kombëtares U-19 të Shqipërisë. “Kam qenë titullar me ekipin tim dhe jam stërvitur rregullisht me ekipin e parë të klubit. Besoj se kam bërë paraqitje të pëlqyeshme, ndërkohë që jam ndjekur edhe nga menaxherë të huaj, të cilët në bashkëpunim edhe me agjencinë “Vata Vision Football Management”, janë duke më krijuar mundësinë për një testim te ekipet e moshave të Ajaksit. Kam luajtur kundër Ajaksit U-18 dhe u mundëm 1-0, me një gol të realizuar me penallti tyre”, - shton Lika, i bindur se e meriton një provë te një prej akademive më prestigjioze në botë dhe e njohur për trajtimin profesional të të rinjve të talentuar. “Një alternativë e hapur mbetet edhe Silkeborgu, atje ku luan mbrojtësi Renato Arapi, por edhe Olimpiakosi në Greqi, atje ishte para tre sezonesh Jahmir Hyka e Hansa Rostiku në Gjermani, shto edhe ekipin Galipoli në Itali. E ndjej se është koha të lëviz e të ndërroj ekip”, - përfundon Geri Lika.

10 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›