Burri im nuk ka bërë operacione me para
TIRANË- “Bashkëshorti im nuk i ka kërkuar askujt para në këmbim të një operacioni, arrestimi i tij ishte tendencioz”. Kështu është shprehur dje bashkëshortja e kirurgut të arrestuar nga policia, Ardian Nelaj. Ajo ka pohuar se i shoqi kishte shpëtuar shumë jetë njerëzish dhe askujt nuk i ka kërkuar para, një pacient që dëshironte të shpërblente punën e doktorit, shfrytëzohet nga policia për të çuar në qeli kirurgun. Sipas Enkelejda Nelajt, operacionet që ka kryer bashkëshorti i saj në spitalin numër dy janë të ligjshme. Salla operacioni në spitalin e Burgut në Tiranë ku ishte me detyrë si shef klinike Ardian Nelaj, nuk kishte dhe për këtë arsye operacionet kryheshin në spitalin nr.2. Por dyshimet se ai u merrte ryshfet familjarëve të pacientëve nga 20 000 për një operacion e ka çuar atë në qeli dy ditë më parë. Deklaratën e policisë së Tiranës lëshuar fill pas arrestimit të kirurgut 38-vjeçar, bashkëshortja e tij e hedh poshtë duke treguar se Ardiani nuk kërkonte kurrë para në këmbim të një operacioni, apo të gjente pacientë me qëllim përfitimi. Por kanë qenë vetë pacientët, të cilët kërkonin ndërhyrje kirurgjikale prej kirurgut Nelaj, pasi kishin besim te “duart” e tij.
Dy ditë më parë, specialistët e Seksionit Kundër Korrupsionit në Sektorin Kundër Krimit Financiar pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me Njësinë e Task-Forcës të Prokurorisë organizuan një operacion i cili u finalizua me arrestimin e shefit të klinikës në spitalin e burgut, mjekun kirurg Ardian Nelaj. “Falë metodave speciale të hetimit, u arrit në përfundimin se shtetasi Ardian Nelaj, me profesion Mjek -Kirurg, me detyrë Shefi i Klinikës së Spitalit të Burgut në Tiranë, dyshohet se përfitonte para, duke iu kërkuar pacientëve të ndryshëm, në këmbim të kryerjes së operacioneve kirurgjikale, operacione të cilat i zhvillonte në sallën e Urgjencës së Spitalit Nr.2 Tiranë. Ndërkohë, pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale u mundësua sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i shumave të parave prej 545 000 lekësh, 760 Euro, 100 dollarë”. thuhej në deklaratën e lëshuar nga drejtoria e policisë së kryeqytetit. Ndërkohë që bashkëshortja e kirurgut tregon se paratë që i janë gjetur burrit të saj nuk ishin marrë nga të afërmit e pacientit. “Nuk është e vërtetë shuma që deklaron policia, Ardiani nuk ka pasur një shumë prej 545 000 lekësh, por rreth 50 000 lekësh të cilën e mbante gjithmonë me vete, ndërsa 760 euro i kishte marrë nga shtëpia për të blerë një televizor” tregoi për “Shekullin” Enkelejda Nelaj, duke shtuar se operacionet bashkëshorti i saj i kryente në prani të mjekëve të tjera, të cilët kanë qenë të pranishëm kur ai refuzonte të merrte para.