Shkodër, policia shmang vrasjen për gjakmarrje
SHKODËR- Një vrasje për motive gjakmarrjeje është parandaluar fatmirësisht dje në qendër të qytetit të Shkodrës, ndërsa është ndaluar autori i saj. BledarDhampiri 32 vjeç, nga fshati Shtoj i Ri në Shkodër është qëlluar me armë zjarri nga Izmer Shpuza. Plumbat nuk kanë mundur ta dëmtojnë 32- vjeçarin, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e policisë ka evituar plotësisht vrasjen.
Ngjarja
Ka qenë ora 10.30 e ditës së djeshme, kur 32- vjeçari Bledar Dhampiri, së bashku me dy të afërm të tij kanë qenë duke pirë kafe në një lokal afër bashkisë Shkodër. Të tre kanë qenë në një tryezë jashtë lokalit, në trotuar, vetëm rreth 15 m larg bashkisë Shkodër. Izmir Shpuza 24 vjeç, lindur e banues në Shtoj të Ri ka tentuar të vrasë Bledar Dhampirin dhe pasi është afruar tek trotuari ku Dhampiri ishte i ulur e ka qëlluar atë me një plumb pistolete. Objekti i sulmit, nuk është prekur nga plumbi por ka mundur të largohet me vrap në drejtim të sheshit Luigj Gurakuqi dhe sipas dëshmitarëve okularë ai është ndjekur po me vrap nga Izmir Shpuza i cili rreth 50 m më tej e ka qëlluar përsëri. Forcat e policisë që kanë qenë fare afër vendit të ngjarjes, sapo kanë dëgjuar krismën e parë kanë reaguar shpejt dhe ndonëse 24- vjeçari Shpuza ka qëlluar përsëri ato kanë mundur ta bllokojnë dhe të neutralizojnë veprimet e tij. Sapo ka parë që Izmir Shpuza u kap nga policia, Bledar Dhampiri,i padëmtuar nga plumbat, është kthyer në lokalin ku ndodhej kur u qëllua dhe më pas bashkë me dy të afërmit e tij është shoqëruar për të dhënë shpjegime lidhur me ngjarjen. Mes njerëzve të shumtë që qarkullojnë në rrugën e Pijacës, të cilët janë grumbulluar të tmerruar nga skena që kanë parë, ai ka pohuar se donin ta vrisnin për gjakmarrje.
Motivi
Shkaku i kësaj ngjarjeje ka qenë gjakmarrja pasi më 6 shtator të këtij viti, në vendin e quajtur “Tregu i Ri” në fshatin Dobraç, është vrarë me pistoletë shtetasi Hysni Shpuza, vjeç 46, babai i Izminit. Nga dokumentimi i plotë i ngjarjes, sipas policisë, ka rezultuar se autorë të krimit ishin vëllezërit Ermal dhe Besmir Dhampiri. Për të marrë hakun e babait, Izmir Shpuza ka vendosur dje të qëllojë mbi vëllanë e dy “vrasësve”.