Fushë Krujë, përplasje me armë, 4 të plagosur
FUSHË KRUJË- Katër persona janë plagosur pasditen e djeshme në Fushë Krujë gjatë një shkëmbimi zjarri i shkaktuar nga një sherr banal. Viktimat e goditjes me armë zjarri kanë qenë 36- vjeçari Astrit Baku, nën kryetar i Këshillit Bashkiak të Fushë- Krujës dhe Kryetar i forcës politike të LSI -së, bashkëshortja e tij 22 vjeçarja Anila Baku si dhe një djalë 12- vjeçar, i cili në momentin e shkëmbimit të zjarrit nga të dyja palët ka qenë në afërsi të lokalit që u kthye në arene përleshjeje të përgjakshme. I plagosur ka mbetur edhe një nga autorët e sulmit të armatosur që ka shkuar në lokalin e Astritit dhe mendohet se është plagosur pa dashje nga ortaku i tij. Ai është 24- vjecari Haxhi Caka nga Fushë Kruja, i cili u arrestua nga policia. Burimet e policisë kanë saktësuar se Haxhi Caka është identifikuar si personi që ka përdorur nga të parët armën e zjarrit në këtë konflikt. Në vendngjarje janë bllokuar në cilësinë e provave materialenjë automatik dhe një pistoletë. Pas dhënies së ndihmës së parë mjekësore, hetuesit siguruan provat materiale të vendit të ngjarjes si gëzhojat e rëna në dysheme dhe u morën me marrjen në pyetje të dëshmitarëve okularë, të cilët dhanë informacionin e saktë mbi zbardhjen e ngjarjes. Pas kapjes së 24- vjeçarit Caka u bë e mundur edhe zbulimi i shokut të tij Gentian Poçi nga Nikla e Fushë – Krujës. Policia ka nisur grupet operative në drejtim të fshatit Nikël ku kishte vendbanimin si dhe Larushk ku mendohej se mund të kërkonte strehim tek të afërmit e miqtë që ka.
Ngjarja
Dëshmitarët okularë pohuan se kanë parë një makinë tip “Benz” me targa të Fierit të ndalojë pranë lokalit të Astrit Bakut. Nga makina kanë dalë dy persona, të cilët kanë hyrë në brendësi të lokalit dhe fillimisht kanë filluar të shkëmbejnë replika me pronarin. Pas replikave kanë filluar sharjet me zë të lartë të cilat kanë degraduar deri në përdorimin e grushteve dhe të shqelmave mes të dyja palëve. Pas pak çastesh janë vënë në përdorim armët e zjarrit, të cilat kanë gjakosur të dyja palët. Nga konflikti me armë zjarri e ka pësuar edhe një fëmijë 12 vjeç. Për fat të mirë plaga e tij ka qenë e lehtë, burimet policore saktësojnë se edhe fëmija ashtu si dhe pjesëtarët e tjerë të sherrit janë jashtë rrezikut për jetën.
Pistat
Policia po heton në disa pista në lidhje me motivet e ngjarjes së djeshme. Hetuesit pohuan se po verifikohet pista e konfliktit për shkak të detyrës duke qenë se Baku ushtronte funksionin e nënkryetarit të bashkisë së qytezës si dhe të kryetarit të LSI-së. Ndërkohë që ajo po ndjek edhe pistën tjetër, atë të një konflikti të mundshëm për shkak të funksionit të Bakos si mësimdhënës i gjuhës angleze në shkollën e fshatit Derven. Policia gjatë gjithë mbrëmjes ka marrë në pyetje disa persona që kanë qenë fare pranë lokalit por nuk ka bërë të ditur nëse ata kanë afruar dëshmi që mund të zbardhin ngjarjen.