E Diel, 1 Nëntor 2026

Burri vrau shtatzenen, motra e viktimes: Te kalbet ne burg perjete

"Të kalbet në burg vrasë si i motrës sime”. Me këto fjalë i drejtohet shtetit shqiptar Afërdita Balla, motra e Manushaqe Çelikut, e cila në dhjetor të vitit të kaluar, u masakrua me sëpatë nga bashkëshorti i saj, Shpëtimi. Ngjarja ishte dyfish e rëndë për opinionin publik, sepse viktima ishte shtatzënë, por sikur të mos mjaftonte kjo, pasi autori e vrau në sy të fëmijëve, fjeti dy ditë me të në dhomë, ndërkohë që fëmijët kujtonin se nëna e tyre ishte në gjumë. Sipas policisë në atë kohë, ngjarja ka ndodhur për shkak se Shpëtimi kishte filluar të bëhej xheloz për gruan e tij, Manushaqen. Motra e saj, nga Librazhdi rrëfen për “Gazetën Shqiptare” momentet e përjetimit të krimit, marrëdhëniet me të motrën, si dhe apelin e saj për drejtësinë shqiptare.

Sa kohë ka kaluar nga vrasja e motrës suaj?
Janë bërë më shumë se 10 muaj që motra ime nuk jeton dhe ndërkohë ne nuk dimë asgjë se çfarë është bërë me autorin, vrasësin e motrës sime.
Sa kohë kishte Manushaqja që jetonte me bashkëshortin e saj?
Ajo kishte 7 vjet. Ka qenë e martuar edhe më parë, me burrin e parë kishte një fëmijë.
Po me Shpëtimin, burrin e saj të dytë, kishte fëmijë?
Po, kishte dy fëmijë me burrin e dytë.
Si u njoh me Shpëtimin, sepse ju thatë që ka qenë edhe më parë e martuar?
Motra ime ka qenë e martuar në një fshat të Librazhdit, aty jetonte me burrin dhe djalin. Më pas, nuk e di se si u njoh me Shpëtimin, por di që ra në dashuri me të dhe u largua nga burri i parë.
Kur u largua motra juaj për në Orikum, aty ku dhe jetonte?
Pasi u njoh me Shpëtimin, bëri edhe dy fëmijë me të, por jetesa e tyre ishte shumë e vështirë. Për këtë arsye vendosën që të largoheshin në Vlorë, për një jetë më të mirë.
Ju, keni qenë dakord që motra juaj të largohej me Shpëtimin?
Jo, familja jonë nuk e ka pranuar asnjëherë burrin e saj të dytë.
Gjatë kësaj kohe, ju nuk keni pasur marrëdhënie me motrën tuaj?
Jo, ka ardhur ajo tek ne, vetëm se ne nuk shkonim në Orikum. Vinte na takonte herë pas here.
Gjatë vizitave që ju bënte, nuk ju tha motra se kishte mosmarrëveshje me bashkëshortin e saj?
Ne e pyesnim shpesh se si shkonte me burrin e saj, por ajo na thoshte gjithmonë që nuk kishte probleme dhe se shkonte mirë. Ne, atje ku banonte ajo, nuk kishim shkuar dhe nuk kishim si ta kuptonim që motra jonë kishte probleme.
Si e morët vesh për vrasjen e motrës suaj?
Na lajmëroi policia e Librazhdit, sepse motra jonë kishte dy ditë që kishte vdekur dhe ne nuk dinim asgjë. Policia e Orikumit, pasi kishte gjetur trupin e motrës, më pas kishte njoftuar policinë e qytetit tonë për të tërhequr trupin. Më pas pamë në lajme se si e kishte masakruar motrën time dhe kishte fjetur me të në sy të fëmijëve.
Keni provuar të kontaktoni vetë me autorin e krimit dhe familjarët e tij?
Jo, nuk e kemi takuar dhe as nuk kemi në plan ta takojmë, as atë, as familjarët e tij. Madje ata nuk erdhën as në varrim.
Po me fëmijët e motrës suaj, çfarë është bërë?
Fëmijët i ka marrë Shtëpia e Fëmijës, nuk e di se çfarë është bërë më pas. Kam dëgjuar se një është në jetimore dhe një nga fëmijët e mban nëna e Shpëtimit, por ne nuk mundemi që t’i marrim, sepse jemi në gjendje jo fort të mirë ekonomike. Por, deri tani nuk i kemi takuar fëmijët, nuk e di se çfarë do bëjmë më vonë.
Çfarë kërkoni nga shteti shqiptar?
Unë dua të di se çfarë është bërë me personin që më vrau motrën. Dua që shteti të japë dënimin maksimal për atë vrasës, të kalbet në burg ai, i cili jo vetëm që e vrau në sy të fëmijëve, por edhe fjeti me të në të njëjtën shtëpi edhe pasi e kishte vrarë.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›