E Shtunë, 31 Tetor 2026

Starton Champions League, magjia e futbollit europian

Sezoni i Champions League ka filluar prej disa javësh, por ai i vërteti starton sot. Gjithçka është gati; 32 skuadra, nga të cilat vetëm njëra do të ngrejë kupën më prestigjioze të futbollit të klubeve në finalen e majit në Lisbonë. Shifra të çmendura brenda një formati. Disa e konsiderojnë pjesëmarrjen sukses, ndërsa të tjerë humbjen e shikojnë si dështim, por për të gjithë, Champions League është toka e premtuar e futbollit, sepse formati magjik i futbollit europian po fiton çdo vit edhe më shumë një peshë të madhe në arenën ndërkombëtare, duke rritur aksionet e futbollit europian në bursën botërore.
SOT
Champions League na servir sonte një përballje "antipastë", ku Mançester Junajtid dhe Bajer Leverkusen do të masin forcat në "Old Trafford". "Djajtë e kuq" e nisin rrugën europiane pas asaj nate të zezë, ku Reali i eliminoi nga çerekfinalja, ndërsa "aspirinat" rikthehen për të fituar jo vetëm lavdinë e humbur në Europë, por edhe për të bërë surprizën në këtë kompeticion. Në Grupin B pesha e rëndesës është në Stamboll, ku Gallatasaraj pret Realin e Madridit, për një tjetër akt pas çerekfinales së sezonit të shkuar, ku u dorëzua pa kushte. Qyteti në brigjet e Bosforit me siguri do të rezervojë një pritje të zjarrtë, në "Ali Samyien", për ta kthyer në ferr mbrëmjen e spanjollëve, ndërsa Fatih Terim dhe Drogba premtojnë hakmarrje. Dhe në fund, përballjet e së martës sjellin në ekran edhe kampionët e Europës, pancerat e Bajernit të Mynihut, që këtë sezon vijnë me prepotencën e skuadrës perfekte. Tashmë nën drejtimin e një tjetër eksperti, si Guardiola, kampionët e kontinentit sfidojnë CSKA-në e Moskës në takimin e parë, që do të zhvillohet në "Allianz Arena". Ndërsa Juventus e nis në transfertë, pikërisht në Kopenhagen, me çështjen "Pirlo" të hapur, pas ftohjes me trajnerin Konte.
Neser
Por edhe e mërkura rezervon jo pak spektakël. Kaka është dëmtuar, por Milani kërkon tri pikët e para kundër Sëlltikut, por nga trajneri skocez vijnë këto fjalë: "Me përjashtim të Balotelit, asnjë tjetër nuk më frikëson. Fundja, Milani është në një fazë tranzicioni dhe jo ai ekipi i kolauduar i shumë viteve më parë." Ndërsa një nga sfidat tradicionale do të jetë Barcelona-Ajaks, pavarësisht se holandezët nuk e kanë më atë shkëlqimin e shumë viteve më parë, kur dominonin në Europë. Mesi dhe Nejmar janë gati, por Ajaks nuk do udhëtojë për të bërë fotografi me yjet e Barcelonës. Një tjetër sfidë që spikat është ajo mes Napolit dhe Dortmundit. Të dyja skuadrat janë në formë. Italianët dhe gjermanët i kanë fituar të gjitha ndeshjet respektive dhe kryesojnë në Serinë A dhe Bundesligë. Është një ndeshje pa favoritë, edhe pse Dortmundi është finalisti i edicionit të vjetshëm.
(a.k/E.Ilnica/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›