Bursa ndërkombëtare, ul çmimet në tregun e brendshëm
Rënia e çmimeve të produkteve të bursës ndërkombëtare, është reflektuar menjëherë në tregun vendas. Nga një vëzhgim i gazetës “MAPO”, në marketet e kryeqytetit është vënë re rënie e çmimeve të produkteve të shportës, të cilat janë produkte importi. Tregtarët në Tregun e ish-Uzinës Dinamo, të cilët marrin furnizim direkt nga grosistët, tregojnë se çmimet kanë rënë për shkak të rënies së tyre në bursat ndërkombëtare. Sipas tregtarëve, ushqimet që importohen kanë pësuar ulje çmimesh, si vaji, nga 300 lekë për 500 gram, ka shkuar në 220 lekë, sheqeri nga 140 lekë, që arriti çmimin maksimal para dy muajsh, tashmë shitet me 110 lekë, në këtë treg, ndërsa mielli dhe nënproduktet e tij janë ulur më pak. Tregtarët u shprehën për “MAPO” se arsyeja e vetme e uljes së çmimeve është reflektimi i bursave ndërkombëtare në tregun vendas. Sipas tyre, kërkesa konsumatore nuk ka rënë, përkundrazi, efekti është reflektuar zinxhir, pasi me uljen e çmimeve kërkesa është rritur.