E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursa pasuniversitare për në Belgjikë

Komuniteti francez i Belgjikës ofron bursa për studime pasuniversitare për studiues dhe pedagogë të huaj, përshirë edhe shqiptarë për vitin e ardhshëm akademik. Lajmi u bë i ditur dje nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
“Në kuadër të Programit për bursat ekselente (Wallonie-Bruxelles International, IN. WBI), Qeveria e Komunitetit francez të Belgjikës ofron bursa për studime pasuniversitare për studiues dhe pedagogë të huaj, të cilët janë të interesuar në plotësimin e programeve të tyre të doktoratës ose post-doktoratës në fushat dhe sektorët më të kërkuar pranë universiteteve të Komunitetit francez të Belgjikës, për vitin akademik 2010-2011”, - bën të ditur njoftimi për shtyp.
Sipas tij, fushat ku mund të paraqiten kërkesat për këto bursa janë Transport dhe logjistikë; Inxhinieri mekanike; Shkencat e natyrës; Agro-industri; Aeronautikë-hapësirë; si edhe Shkenca shoqërore. Për këto aplikime, afati i fundit për dorëzimin e kërkesave (dosjeve përkatëse) të kandidatëve për këtë kategori bursash është data 01 mars 2010.
“Qeveria e Komunitetit francez të Belgjikës akordon, gjithashtu, bursa afatshkurtra, 1-3 muaj në fushën e kërkimit shkencor”, - bën të ditur MASH. Sipas njoftimit, afatet e dorëzimit të dosjeve për këto bursa janë data 01 shkurt 2010 për bursat e parashikuara për periudhën qershor-shtator 2010; data 01 maj 2010 për bursat e parashikuara për periudhën tetor 2010- janar 2011; dhe data 1 tetor 2010 për bursat e parashikuara në periudhën shkurt-maj 2011.
“Për një informacion më të detajuar lidhur me mënyrën e aplikimit dhe të përgatitjes së dokumentacionit, të interesuarit t’i referohen adresës së internetit: www.wbi.be dhe të kontaktojnë me z. Erik Vandelook, i cili është pika e kontaktit për dorëzimin e dokumentacionit, me adresë e-mail: e.vandelook@wbi.be dhe numër telefoni: 003224218209”, - bën të ditur Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›