E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luiza gjen punë në Teatër!

Në të kundërt nga aktore, duket se Luiza Xhuvani qe krejt e pafat në lojën e politikës. Edhe pse fitoi si deputete e së majtës, ajo nuk arriti as ta nuhasë nga larg sallën e Kuvendit, pasi dihet tashmë se opozita në Shqipëri ka qëndruar jashtë dyerve të Parlamentit.
Me hir apo pahir edhe Xhuvani i është bindur, si shumica e anëtarëve të PS-së, kreut të saj duke bojkotuar legjislativin, edhe pse aktorja ka qenë e preferuar prej votuesve, për ta parë edhe si përfaqësuese në Kuvend, jo vetëm si në teatër.
Entuziazmi i fitores, ndoshta dhe mendimi se obligimet e Xhuvanit ndaj popullit do të ishin shumë më të mëdha se në Teatër, ajo dha dorëheqjen nga aktrimi. Liroi një vend pune, po ashtu hodhi poshtë dhe një ofertë për rol kryesor në dramën “Kush ka frikë nga Virgjinia Wolf”, duke lënë në pikë të hallit regjisorin shqiptar të ardhur nga Shkupi, Bekim Kushtrimin. Kjo ndodhi dhjetë ditë para se aktorët të uleshin në tavolinën e provave, kur ndodhi e papritura e tërheqjes së Luizës nga roli. Por zgjidhja e këtij të fundit u bë, pasi menjëherë vendi u zu nga aktorja Eva Alikaj. Arsyeja pse Xhuvani e la rolin e Kushtrimit aq papritur u kuptua lehtë: Luiza nuk kishte më nevojë për një vend pune në Teatër, e për më tepër për një rol, pasi kishte fituar si deputete në Parlament, ku detyrat janë shumëfish më të mëdha. Kështu për një fare kohe ajo do qëndronte jashtë lojës në skenën e teatrit.
Vetëm se po pritej me entuziazëm dhe nga komuniteti i artistëve se diçka përmes Xhuvanit do mund të bëhej për Teatrin, se për një të vërtetë duhet thënë që është akoma përtokë, me një buxhet qesharak, ku mezi realizohen tri premiera në vit, me shfaqje që më shumë heshten se mbijetojnë, që tek e fundit është i jashtëligjshëm, duke funksionuar sipas rregullores personale të çdo drejtori që vihet në krye dhe ku mungon krejtësisht konkurrenca, tregu skenik etj.
Luiza pra nuk e dimë nëse do të ndikonte si deputete në këto arsye, dhe për shumë probleme të tjera të artit e kulturës, që politika nuk i jep aq shumë vëmendje.
Por e gjithë që mund të dukej si “ëndërr” u shemb, sepse Luiza po i bindet më shumë vullnetit të kryetarit të PS-së, duke refuzuar e hedhur poshtë edhe votën e popullit, ashtu si roli para se populli ta votonte. Tani nuk ka më kohë kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga zgjedhjet, aktorja plot sharm në teatër dhe film – më e preferuara e regjisorëve në këta dhjetë vjet - gati pat ngelur jashtë vëmendjes, dhe atij, publikut në Teatër.
Është regjisori Adonis Filipi që e ka rikthyer, në tragjedinë antike “Elektra” të Sofokliut, duke i dhënë rolin protagonist, Elektrën. Mund të thuhet se kjo vepër antike është e para për Filipin, gati një eksperiment, që vështirë t’i besohet se do të arrijë ta realizojë kur edhe vetë Teatri si institucion, aktorët e saj nuk i ka ushtruar pothuaj fare në tragjeditë antike. Megjithatë Luiza e ka pranuar rolin, sepse dihet që tani është edhe “pa punë”, pavarësisht se ka mandatin e deputetes, për të cilën as nuk paguhet duke qenë jashtë Parlamentit. Në Kuvend nuk i lë kryetari i PS-së, nga teatri si punonjëse me rrogë ka dhënë dorëheqjen, po ashtu edhe ofertave iu dha një përgjigje të prerë për jo. Në këtë udhëkryq, “pjesa e tortës” për Xhuvanin në Teatër, në një kryerol si Elektra ia mund hidhërimin, por të lë të kuptosh se ajo nuk ka “urdhër” akoma për të hyrë në Parlament.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›