Buxheti i shtetit shkon për paga dhe pensione
Shpenzimet e buxhetit të shtetit gjatë tremujorit të parë të këtij viti u rritën në total me vetëm 816 milionë lekë në krahasim me një vit më parë, gjë që përbën një lajm të mirë, por problemi është se shpenzimet korrente, të cilat përfshijnë paratë që shkojnë për paga, pensione e interesa borxhi, u rritën me 4.6 miliardë lekë ose 8 për qind. Lajmi bëhet i ditur nga buletini fiskal i qeverisë i publikuar së fundmi. Kjo do të thotë se qeveria po sakrifikon investimet publike për të mbuluar shpenzimet e tepërta të krijuara nga vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve para zgjedhjeve të vitit të kaluar dhe në mes të krizës financiare. Sipas të dhënave zyrtare, qeveria kreu shpenzime të domosdoshme prej 62.4 miliardë lekësh në periudhën janar-mars të këtij viti, nga 57.8 miliardë lekë që qenë shpenzuar një vit më parë. Për të njëjtën periudhë, shpenzimet për investime u ulën me 3.8 miliardë lekë.
Shpenzimet e domosdoshmeShpenzimet korrente janë ato që qeveria duhet t’i kryejë patjetër dhe nuk ka mundësi t’i shmangë. Kursimi në këto shpenzime është një proces pothuajse i pamundur, pasi kërkon domosdoshmërish shkurtimin e vendeve të punës në administratën publike ose uljen e pagave dhe pensioneve. Qeveria ka marrë në heshtje disa masa për t’u ulur këto shpenzime, pasi nuk ka parashikuar këtë vit fond rezervë për rritjen e pensioneve, si dhe ka parashikuar një fond minimal rezervë për rritjen e pagave. Nga ana tjetër, qeveria ka lëshuar urdhra administrativë për shkurtimin e parave të paguara në formë dietash apo shërbime të tjera për të punësuarit publik. Megjithatë këto masa nuk e kanë përmirësuar situatën. Shpenzimet korrente të qeverisë këtë vit kanë arritur në 81 për qind të totalit të shpenzimeve, ndërkohë që një vit më parë qenë 76 për qind. Gjatë tremujorit të parë, deficiti i buxhetit të shtetit ishte 4 miliardë lekë, ndërkohë që gjatë viteve të fundit, fillimi i vitit karakterizohej nga suficit buxhetor.
#