Bursa për studime jashtë vendit, në Bullgari dhe Japoni
Qeveria e Bullgarisë ofron 2 bursa për pjesëmarrje të studentëve dhe specialistëve shqiptarë në kursin veror të gjuhës, letërsisë dhe kulturës bullgare pranë Universitetit “Sv. Kliment Ohridiski” të Sofjes 1 bursë, dhe Universitetit “Sv. Kiril i Metodi” të Veliko Tërnovos, 1 bursë. Në Universitetin e Sofjes kursi organizohet gjatë periudhës 17.07.2011-06.08.2011, ndërsa në Universitetin e Veliko Tërnovos gjatë periudhës 01.08.2011-20.08.2011. Pala bullgare përballon shpenzimet për ushqimin, akomodimin dhe programin mësimor dhe kulturor, ndërsa shpenzimet e udhëtimit vajtje-ardhje do të mbulohen nga vetë pjesëmarrësit në këto kurse. MASH njofton se të interesuarit duhet të dorëzojnë formularët e plotësuar, origjinalë, pranë Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Tiranë brenda datës 31 maj 2011. Po ashtu, edhe qeveria e Japonisë, nëpërmjet programit “Doctorate in Nano-Satellite Technologies” ofron 2 bursa për programe 3-vjeçare doktorature në Inxhinieri Teknike/Hapësinore. Programi fillon më 01.10.2011, do të zgjasë tre vjet dhe do të ofrojë mundësi të gjera kërkimore për sistemet satelitore.