E Diel, 1 Nëntor 2026

Certifikimi i Anglishtes, UT firmos sot marrëveshjen

Universiteti i Tiranës ka fituar të drejtën e certifikimit të gjuhës angleze nga kompanitë e njohura ndërkombëtare, një kusht ky për të mbaruar studimet master. Ditën e sotme do të nënshkruhet marrëveshja midis Universitetit të Tiranës, e përfaqësuar nga rektori Prof. Dhori Kule dhe ETS Global, e përfaqësuar nga drejtori i përgjithshëm Zoubir Yazid. Kjo marrëveshje prodhon dhe ofron testime nga më prestigjiozet në fusha të ndryshme si: testime për mbrojtjen e gjuhëve të huaja, ku për gjuhën angleze ofrohet testimi TOEFL dhe TOEIC, më i njohuri ndërkombëtarisht dhe testime të tjera të njohura ndërkombëtarisht për gjuhën frënge dhe gjermane. Gjithashtu ofron testime dhe në fusha specifike si: në fushën ekonomike, teknologji dhe informacion, teste për administratën publike si dhe testime për bizneset private sipas kërkesave specifike që ata kanë. ETS është në pararojë të prodhimit dhe ofrimit të Testimeve Psikometrike në botë. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes do të jenë të pranishëm kryeministri Sali Berisha, ambasadori i Ambasadës së ShBA-së në Tiranë, Alexandër Arvizu, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, si dhe personalitete të tjera. Këto janë certifikime, të cilat çdo institucioni do i interesonte nga pikëpamja e prestigjit institucional e mbi të gjitha shërbimit cilësor dhe me kosto me të ulët. Në bazë të Ligjit të Arsimit të Lartë, të gjithë studentët që kanë filluar studimet master, që nga shatori i vitit të kaluar, duhet të mbrojnë edhe gjuhën angleze, nga një organizëm ndërkombëtar, në të kundërt atyre nuk u njihet cikli i studimit si i përfunduar. Kundër kësaj ideje ka dalë edhe dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Shezai Rrokaj, i cili sqaron se kjo mënyrë u kushton studentëve shqiptarë 500 euro, ndërkohë që ata mund ta mbrojnë fare mirë pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, duke paguar një tarifë vetëm për certifikatën.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›