Barnat, sa ulet marzhi i tregtimit sipas kategorive
Marzhi i tregtimit të barnave për farmacistët dhe grosistët pritet të përgjysmohet, çka do të thotë se fitimet e tyre në procesin e shitjes së medikamenteve do të jetë disa herë më i ulët, ndërsa nuk dihet ende se çfarë efektesh do të ketë ky vendim mbi pacientët. Mësohet se kërkesa për të ulur marzhin e tregtimit të barnave është bërë nga Ministria e Financave dhe Ministria e Shëndetësisë, ndërsa shkak për marrjen e këtij vendimi, që po kundërshtohet fort nga farmacistët dhe grosistët është bërë kostoja e listës së barnave me rimbusim për vitin 2011. Kjo listë, ndonëse është gati për t’u miratuar nga qeveria, është kthyer mbrapsht nga Ministria e Financave, pasi rritja me 10% e çmimit të barnave, për efekt të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, ka bërë që të kërkohet një fond më i lartë për rimbursim. Pikërisht, për ta çuar fondin në të njëjtin nivel me vitet e kaluara është propozuar ulja e marzhit të tregtimit. Por, përveç farmacistëve, edhe Shoqata e Grositëve është kundër uljes së marzhit të fitimit, madje ata një muaj më parë kanë kërkuar rritjen e marzhit të tregtimit, pasi kanë humbje për shkak të rritjes së kursit të këmbimit të valutës. Urdhri i Farmacistëve dhe Sindikata e Pavarur e Farmacistëve të rrjetit të hapur, përveçse kundërshtojnë uljen e marzhit të tregtimit të barnave, bëjnë të ditur edhe sa do të jetë realisht kjo ulje. Sipas kreut të Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, vendimi për uljen e marzheve të tregtimit të barnave është firmosur nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, si kryetar i Këshillit Administrativ të ISKSH. Sipas këtij vendimi, marzhet e tregtimit të barnave ulen si më poshtë: kategoria e barnave me marzh 8% të depos dhe 0% farmacisë, bëhet 4% dhe 0%; kategoria 8% dhe 15%, bëhet 6% dhe 12%; kategoria 10% dhe 20%, bëhet 8% dhe 18%; kategoria 12% dhe 24%, bëhet 10% dhe 24%; kurse kategoria 12% dhe 29%, bëhet 10% dhe 26%. Urdhri i Farmacistëve bën të ditur se ky vendim është kundërshtuar dhe nuk është firmosur nga përfaqësuesi i tyre në Këshillin Administrativ të ISKSH. “Në pesë vite të funksionimit të tij ne vërejmë se veprimet arbitrare të administratës shtetërore janë të shumta. Ato fillojnë me uljen e marzheve të tregtimit të barnave në vitin 2006 dhe në vazhdim, me ndryshimet që janë bërë në ligjin ‘Për barnat dhe shërbimin farmaceutik’, të cilat lidhen me heqjen e kriterit të negocimit, përjashtimin e Urdhrit të Farmacistëve nga përfaqësimi në Komisionin e Çmimit të Barnave, licencimin e farmacive nga DSHP, licencimin e farmacive nga QKL, duke shkelur kriterin e distancës midis farmacive për një vit rresht, heqjen e kriterit të distancës nga ligji dhe deri në përjashtimin e përfaqësimit të UFSH nga Këshilli Administrativ i ISKSH në ligjin e miratuar së fundmi për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore etj. Arbitrariteti i fundit lidhet me një vendim të KA të ISKSH të firmosur nga ministri Vasili, për uljen e marzheve të tregtimit të barnave. Ky vendim nuk është firmosur nga ana ime si përfaqësues i farmacistëve të Shqipërisë, sepse është një vendim arbitrar, i cili nuk është marrë mbi bazën e një studimi apo eksperience të krahasueshme me vendet ku duam të integrohemi apo të rajonit tonë, gjithashtu ky vendim është marrë si vendim qarkullues, duke u dërguar dorazi të gjithë anëtarëve të KA, duke shmangur diskutimin në Këshillin Administrativ të ISKSH”, - sqaron Jaupllari. Të ndodhur në këtë situatë, Këshilli Kombëtar i UFSH bën të ditur se ka vendosur mbrojtjen e interesave të farmacistëve bazuar në hapësirat që i jep ligji, duke përkrahur Sindikatën e Farmacistëve në të gjitha veprimet e saj të bazuara në të drejtat që i jep ligji, duke përshkallëzuar veprimet deri në pezullimin e veprimtarisë farmaceutike.