E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e autizmit, gati brenda tetorit

SHKRUAN: Jonida Tashi 05-04-2011 10:56

Strategjia kombëtare e autizmit, në të cilën janë përcaktuar mënyrat bashkëkohore për trajtimin e këtyre të sëmurëve, do të jetë gati brenda muajit tetor. Deklarata premtuese është bërë dje nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në konferencën e tij të parë për shtyp, pas aksidentit. “Është futur në proces përfundimi i strategjisë e cila fut në shinat bashkëkohore këtë fenomen shumë të komplikuar si autizmi. Një grup pune është ngritur për hartimin e strategjisë, e cila pritet të lançohet në fillim të muajit tetor të këtij viti”, - ka pohuar ministri Vasili. Duke e cilësuar autizmin jo vetëm një problem shëndetësor, por dhe social, ministri i Shëndetësisë është shprehur se prioritet përbën ngritja e qendrave multifunksionale në mbështetje të personave me çrregullime të spektrit të autizmit dhe familjeve te tyre. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë është e ndërgjegjshme për vështirësitë e çdo familjeje e cila ka persona me çrregullime të spektrit autik, ndaj dhe po punon për të hedhur bazat e mbështetjes për këto familje. Po ashtu, ministri Vasili ka pohuar se dikasteri që ai drejton i ka kushtuar një vëmendje të veçantë përgatitjes së burimeve njerëzore, duke u fokusuar në trajnimet e burimeve ekzistuese. Për këtë rast ai ka dhënë si shembull që mjekët pediatër në poliklinika po bëjnë skrinimin e fëmijëve të moshave 2-3 vjeç. Gjithashtu, është bërë i mundur edhe shtimi i kapaciteteve për specializimet afatgjata, siç ishte nisja për herë të parë e specializimit në psikiatrinë infantile. Shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe shoqërisë civile e ka quajtur ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, bashkëpunimin e vitit që lamë pas në spektrin e autizmit mes shoqërisë civile, fondacionit “Fëmijët shqiptarë” në veçanti dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tij, për herë të parë është realizuar i pari lobim rajonal për autizmin. “Në bashkëpunim me fondacionin ‘Fëmijët shqiptarë’ në nëntor të vitit të kaluar u krijua për herë e parë një rrjet rajonal i cili do të bëjë të mundur: rritjen e sensibilitetit politik për këtë çështje; shfrytëzimin optimal të kapaciteteve teknike; tërheqjen e vëmendjes së donatorëve; ndërgjegjësimin e aktorëve dhe mekanizmave qeveritarë dhe joqeveritarë”, - ka pohuar ministri i Shëndetësisë. Rrjeti rajonal për autizmin do të kryesohet nga Ministria e Shëndetësisë e cila mbështetet edhe nga fondacioni “Fëmijët shqiptarë”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›