E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursa për të gjithë nxënësit e të mesmeve profesionale

"Për vitin e ardhshëm është planifikuar që t‘u jepen bursa të gjithë nxënësve që do të fillojnë vitin e parë të shkollave të profileve të mësipërme, pavarësisht kritereve ekonomike dhe notës mesatare". Është ky premtimi i bërë dje nga zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata, dhe ai i Punës, Kastriot Sulka. Kjo konsiderohet si një ndër masat më efikase që pritet të rrisë frekuentimin e shkollave të mesme profesionale në vend. Në një takim të zhvilluar dje për Arsimin dhe Formimin Profesional u deklarua se "po në këtë vit shkollor, të gjithë nxënësit me mesatare note mbi 8, të shkollave të profilit bujqësor, (agrobiznes, pyje, veterinari dhe të profileve të ndërtimit) u motivuan duke u dhënë bursa pavarësisht kritereve ekonomike". Gjithashtu, bëhet e ditur se për vitin e ardhshëm shkollor do të zbatohet për herë të parë dhe struktura e re e shkollave profesionale, e cila është hartuar në bashkëpunim me donatorët. Ajo ka përqasje me atë të shkollave profesionale të vendeve të përparuara evropiane në këtë fushë. Sipas përfaqësuesve zyrtarë, kjo strukturë është më fleksibël dhe më e përshtatur me dinamikën e zhvillimit të tregut. Të gjitha shkollat profesionale teknike sipas saj zgjatin 4 vjet, por profili i veterinarisë zgjat 4 vjet në bllok, profilet ekonomike, pyje dhe teknologji informacioni dhe komunikimi, (2+2) vjet, ndërsa të gjitha profilet e tjera (2 + 1 + 1) vjet. Sipas strukturës së mësipërme, në shkollat e Arsimit të Formimit profesional, do të zbatohet kurrikula e ri, sipas modeleve të shkollave evropiane. Kjo kurrikulë, ndryshe nga gjimnazet është me dy nivele, Skeletkurrikula qendrore dhe kurrikula në nivel shkolle. Në tri vitet e ardhshme është parashikuar të ndërtohen 6 shkolla tekniko-profesionale: 3 shkolla të profilit teknologji informacioni dhe komunikimi (përkatësisht në Tiranë, Durrës dhe Elbasan); 2 shkolla elektro dhe automekanik, (përkatësisht në Dibër dhe Fier), dhe 1 shkollë agrobiznesi në Bushat Shkodër. Në këtë takim u ra dakord për ngritjen e një grupi sektorial dhe takimin e tyre një herë në tre muaj për koordinimin e punës dhe shpërndarjen me efikasitet të fondeve për zhvillimin e këtij sistemi arsimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›