E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e Universitetit të Tiranës sot bojkotojnë mësimin

Studentët e Universitetit të Tiranës sot paradite do të bojkotojnë procesin mësimor. Ata do të organizojnë edhe një protestë që do të zhvillohet në formë marshimi nga sheshi "Nënë Tereza" drejt Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Përpara këtij institucioni do të mbahet edhe një tubim. "Protesta, e shoqëruar me bojkot në të gjithë universitetin, do të zhvillohet duke pasur parasysh shkeljet flagrante që Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë ndaj ligjit të arsimit të lartë, në lidhje me hartimin e formës dhe përmbajtjes së diplomës trevjeçare". Kështu shkruhet në letrën që studentët përfaqësues të Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës i kanë dërguar rektorit Dhori Kule, për ta vënë në dijeni mbi protestën e tyre si dhe mbi bojkotimin e mësimit. Për dijeni kjo letër i është dërguar edhe të tetë dekanëve të fakulteteve të UT-së.

Nga ana tjetër, në vijim të protestave të kësaj periudhe studentët e universitetit më të madh në vend, i kanë dërguar dje një peticion ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja. Përmes këtij dokumenti ata kanë kërkuar anulimin e udhëzimit 26, datë 14/07/2008, të firmosur nga ish-ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo. Ndërsa kanë rreshtuar edhe dy arsyet themelore për këtë kërkesë. "Pikat 3, 4, 5 të këtij udhëzimi marrin kompetencat që ligji në nenin 31, pika 4 ia ka atribuuar dhe detyruar senateve akademike dhe në rastin tonë, Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës. Pika 6 e këtij udhëzimi bie ndesh me nenin 31 pika. 6 të ligjit për arsimin e lartë, ku udhëzimi tejkalon në mënyrë flagrante kompetencat dhe detyrimet ligjore", shkruajnë studentët në këtë peticion. Ata ia kanë dërguar këtë dokument edhe Kryeministrit Sali Berisha, si dhe Komisionit Parlamentar për Arsimin.

Studentët bashkë me peticionin kanë bashkangjitur edhe firmat e

45 të rinjve nga mbi 1200 firmat e mbledhura në Universitetin e Tiranës, (Fakultetet e Gjuhëve të Huaja, Historisë dhe Filologjisë, Shkencave Sociale, Ekonomikut etj.) në lidhje me problemin e diplomave trevjeçare.

Ata kundërshtojnë modelin e kësaj diplome, të formatuar nga ana e Ministrisë së Arsimit, me pretendimin se aty nuk përcaktohet titulli pas studimeve të kryera, dhe ka të dhëna të tjera të munguara.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›