E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuha shqipe mungon në etiketat e ilaçeve

Nëse do të përdorësh ndonjë medikament që e blen në farmaci, duhet të jesh poliglot. Kjo sepse edhe paracetamol po të blesh nuk gjen të shkruar asnjë rresht në gjuhën shqipe për mënyrën e përdorimit. Në të gjitha farmacitë e Shqipërisë gjen me dhjetëra barna, të cilave nuk mund t‘u përkthesh dot mënyrën e përdorimit. Në fletë udhëzuesit gjen gjuhë nga më të ndryshme të botës, kinezisht, arabisht, hebraisht, vetëm shqip jo. Në Shqipëri tregtohen barna, të cilat nuk kanë etiketim në gjuhën shqipe dhe pacientët, të cilët i përdorin këto barna nuk e dinë se çfarë preparatesh janë duke përdorur, duke pasur parasysh se nuk e dinë as prejardhjen e barit dhe çfarë efektesh anësore shkakton preparati, të cilin po i fusin organizmit. Nga sondazhi që bëmë në treg konstatuam se 50% e barnave që shiten sot në farmacitë shqiptare nuk kanë fletë-udhëzuesin në gjuhën shqipe. Të gjithë farmacistët kur i pyetëm se përse tregtonin barna të pashoqëruara
me fletë-udhëzuesin në gjuhën shqipe, përgjegjëse bënë Ministrinë e Shëndetësisë. Drejtori i Qendrës së Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj, pranon faktin që farmacitë në vendin tonë janë të mbushura me barna të regjistruara dhe të paetiketuara në shqip, madje jep edhe shifra. Sipas tij, 60% e barnave që qarkullojnë sot në farmacitë shqiptare kanë etiketimin shqip, megjithëse ky proces ka vite që ka nisur. Ndërsa zv/ministri i Shëndetësisë ia vë fajin tregut në Shqipëri, i cili përbën një treg shumë të vogël për kompanitë e mëdha të prodhimeve farmaceutike, të cilat nuk kanë interesa që në fletë-udhëzuesit të futet edhe mënyra e përdorimit në gjuhën shqipe. Për zv/ministrin e Shëndetësisë është i vështirë aplikimi i ligjit që kërkon në mënyrë taksative vendosjen e përkthimit shqip të fletë-udhëzuesve të medikamenteve.

"Ka vështirësi praktike veçanërisht për ilaçet e potencës, të cilat vetëm një kompani ka të drejtë t‘i shesë kudo në botë. Është tregu ynë, i cili ka nevojë për këto produkte dhe negocimi me kompaninë, e cila prodhon këtë ilaç, që vetëm për tregun tonë në sasinë dhe kapacitetin e tregut tonë të prodhojë në gjuhën shqipe, kam përshtypjen se është e vështirë dhe në këtë kuptim e shoh të vështirë aplikimin dhe zbatimin e ligjit për këtë kategori produktesh", theksoi Ivanaj.

Në pikën C të rregullores "Për regjistrimin e barnave në Republikën e Shqipërisë, është e përcaktuar qartë që fletë-udhëzuesi që shoqëron produktin duhet të jetë në gjuhën shqipe. Po kjo nuk zbatohet në praktikë. Në Shqipëri tregtohen barna të cilat nuk kanë etiketim në gjuhën shqipe. Në dhjetor të 2004-ës ishte caktuar afati i fundit i moslejimit të tregtimit të barnave pa etiketimin shqip. Ky afat u shty për në fund të qershorit të vitit pasardhës, pra për në qershor 2005, por përsëri nuk u bë asgjë. Të gjithë premtojnë se do të gjejnë një rrugëzgjidhje për këtë problem fletë-udhëzuesin e barnave, por se kur, këtë askush nuk e thotë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›