E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursat në krizë, Bush i shqetësuar

Kriza financiare ka detyruar qeverinë amerikane të marrë masa për të qetësuar tregjet. Zhvillimet e fundit flasin për një dobësim të ekonomisë amerikane. Ulja e njëpasnjëshme e interesave erdhi së fundi pas hapit të pazakontë të Bankës Qendrore, duke ndihmuar në shitjen e një banke investimesh që ndodhej në prag të falimentimit. Banka Bear Stearns, iu shit bankës JP Morgan Chas për një shumë prej 236 milionë dollarësh. Presidenti Bush, gjatë një takimi me ministrin e Financave Henri Paulson, tha: "Një gjë është e sigurt, që ne jemi në kohën e sfidave. Por tregjet tona të kapitalit po funksionojnë me efikasitet. Ngjyra mbizotëruese në bursën Wall Street të Nju-Jorkut është e kuqja. Pas orëve të para të këmbimeve të nervozuara, indekset Standard & Poor, si dhe Nasdaq pësuan rënie të fortë. Edhe Dow Jones shënoi rritje për një interval shumë të shkurtër kohor, më pas kurba sërish tregonte ndjeshëm poshtë. Megjithatë, në mbyllje të bursës Wall Street vlera standarde e indeksit Dow Jones arriti të shënonte një rritje të lehtë prej 0.2 për qind. Por kriza në një nga tregjet financiare ka shënuar një pikë të re kulmore. Rrethi i krizës financiare po zgjerohet më tej. CNN u shpjegon teleshikuesve të tij se si ka ndryshuar jeta e tyre, për shkak të krizës në sektorin e pasurive të patundshme dhe të kartave të kreditit. Amerikanët ndiejnë fort në portofolet e tyre rënien drastike të bursës. Analisti Vince Farrell nuk dëshiron t‘i hedhë benzinë zjarrit: "Pas gjashtë muajsh tregjet do ta marrin veten sërish, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën. E di që ka mijëra arsye që flasin për të kundërtën, por jam i bindur për atë që them".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›