E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali, 15 mijë biznese pa matës

Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ka publikuar një shifër tronditëse, e mbajtur e fshehtë për publikun deri më tani, që pritet të rikthejë edhe një herë debatin mbi mënyrën se si është administruar dhe vazhdon të administrohet Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, tashmë në prag privatizimi. Në raportin vjetor të vitit 2007, ERE zbulon se në Shqipëri ekzistojnë rreth 14 mijë e 600 biznese, ose më shumë se 13.2 për qind e totalit të bizneseve, që janë të papajisur me matësit e energjisë dhe që e paguajnë energjinë elektrike aforfe. "ERE e gjykon alarmante situatën e pajisjes me matës të abonentëve, veçanërisht atyre të biznesit. Duke qenë se ligji e lejon faturimin aforfe vetëm për konsumatorët familjarë dhe nuk e njeh këtë lloj faturimi për abonentët privatë dhe ata shtetërorë", thotë ERE në raportin vjetor të vitit 2007, që i ka nisur zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë. Më tej, Enti vijon: "KESH-i, duke respektuar legjislacionin në fuqi, duhet të kishte gjetur rrugët dhe mundësitë për t‘i instaluar ata".

Shkelet ligji

Autoriteti i vetëm që ka të drejtën për të caktuar sasitë aforfe të energjisë elektrike në Republikën e Shqipërisë është Enti Rregullator i Energjisë. I pyetur nga "Shqip" se si u faturohej sasia aforfe bizneseve pa matje, përgjigjja zyrtare e Entit ishte: "Ne nuk mund të caktojmë sasira aforfe për biznesin, pasi ligji e shpreh qartë se aforfet faturohen vetëm për familjarët. Për abonentët e tjerë, faturimi aforfe është i jashtëligjshëm". Në këtë pikë, pyetja që shtrohet është se si e paguajnë energjinë 14600 bizneset që paguajnë faturime aforfe. Ndonëse konfirmon ekzistencën e këtij fakti, pra që më shumë se 14 mijë e 600 biznese e paguajnë energjinë aforfe, Enti thotë se nuk ka dijeni për sasinë që u faturohet atyre.

Rriten humbjet

"Duke qenë se ligji lejon faturimin aforfe vetëm për konsumatorët familjarë dhe nuk e njeh atë për subjektet private dhe ato shtetërore, mungesa e matjes në këto subjekte përkthehet në rritje të humbjeve teknike, të cilat u ngarkohen qytetarëve në mënyrë të padrejtë", vëren raporti i ERE-s. Kjo skemë, për të cilën është folur pak në publik, është një vatër e madhe potenciale për korrupsion. Ekspertët thonë se ajo nxit marrëveshjet dhe aferat mes faturistëve dhe elektricistëve të KESH-it e bizneseve për të faturuar sasira më të vogla. Përderisa nuk ka asnjë ligj apo urdhër, që përcakton sasitë aforfe të biznesit, atëherë energjia që ata konsumojnë vendoset ose në bazë të sasive që Enti ka përcaktuar për familjarët, ose në bazë të marrëveshjeve të çastit mes faturistëve të KESH-it dhe bizneseve. E gjithë barra e këtij skandali bie mbi konsumatorët korrektë, ata që e paguajnë energjinë elektrike në bazë të rregullave në fuqi.

Akuzat e Berishës

Kohë më parë, Kryeministri Berisha, disa herë akuzoi në publik Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare për faturimin e bizneseve. Berisha hodhi dyshime, se përqindja e energjisë që i faturohet biznesit në raport me totalin e konsumuar në vend nuk paraqet realitetin. Madje, ai deklaroi në atë kohë se nuk do të lejojë që të rritet çmimi i energjisë, për sa kohë KESH-i nuk do ta ndryshojë këtë raport. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare reagoi agresivisht ndaj këtyre deklaratave. Ndonëse e pafuqishme për të kundërshtuar direkt Kryeministrin, në mënyrë të tërthortë mundohej të hidhte poshtë akuzat e Kryeministrit, duke nxjerrë në publik shifra, që, sipas saj, dëshmonin se biznesi paguan atë që konsumon.

Tabela

Abonentët

Kategoria Matës të dëmtuar Pa matës

Familjare 14 680 72 452

Biznese 2 094 14 674

Shtetërore 336 1 537

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›