E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: 6 miliardë lekë për Gërdecin

Qeveria me anë të Ministrisë së Financave është vënë në lëvizje për të gjetur burimet e financimit në përballimin e dëmeve të shkaktuara nga tragjedia e Gërdecit. Sikundër kishte deklaruar tri ditë më parë për gazetën "SHQIP", se do të preken rezervat e qeverisë dhe fondi i kontigjencës, zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, u shpreh dje zyrtarisht për mediat se, këta dy zëra në buxhet parashikojnë një fond prej 6 miliardë lekësh (ose 64 milionë dollarë). Duke shpjeguar masat që po merr qeveria në përballimin e situatës tepër të vështirë, Shehu ka zbardhur disi skemën që do të përdoret për sigurimin e fondit. Ai shpreson edhe në kontributin e subjekteve private, të cilat këto ditë kanë qenë tepër aktive në mbështetje të familjeve të prekura.

Skema

Nga zëvendësministri Shehu mësohet se shpenzimet e përkohshme të akomodimit të familjeve të prekura po përballohen nga fondet e emergjencës civile që kanë qenë të miratuara në buxhetin e shtetit dhe administrohen nga Ministria e Brendshme. "Ndërkohë, Ministria e Financave po përgatitet për të gjetur burimet e nevojshme financiare që do të përdoren për kompensimin e të prekurve nga tragjedia", tha dje Shehu. Përveç këtij fondi, do të përdoret edhe rezerva e Këshillit të Ministrave dhe fondi i kontigjencës, i cili në buxhetin e shtetit është për të përballuar risqe të ndryshme në procesin e zbatimit të tij. Këta dy fonde, në total përllogariten në 6 miliardë lekë. Sipas Shehut, nga vlerësimet paraprake mendohet se, do të mjaftojnë për të përballuar situatën. Më tej ai shton se, kësaj shume pritet t‘i shtohen dhe donacione të shteteve të ndryshme dhe organizmave të rëndësishëm financiarë me të cilat Shqipëria ka marrëdhënie dhe u ka kërkuar ndihmë. Me shpresë se do të marrë përgjigje pozitive nga këta organizma, qeveria po shikon drejt bizneseve private që operojnë në vend, si dhe te ndihma e qytetarëve të thjeshtë. Kjo do të thotë që të gjithë individët kudo që janë mund të derdhin kontributin e tyre në çdo rreth të Shqipërisë apo dhe jashtë vendit. Të gjithë kontributet që do të derdhen në këto llogari dhe do të menaxhohen nga sistemi i thesarit në një llogari të përqendruar në Bankën e Shqipërisë. Lidhur me përdorimin e kontributeve, mësohet se, ndihmat do të bashkohen me fondet e qeverisë shqiptare. "Përdorimi i tyre do të bazohet në procedura të shkruara, do të jetë transparent, i hapur dhe do të përfshijë edhe përfaqësues të palës së dëmtuar", bëri me dije zv/ministri.

Bizneset

Shpërthimi i fabrikës në fshatin Gërdec të Vorës nuk ka dëmtuar vetëm familjet përreth, por edhe subjektet që ushtronin aktivitetin privat, në një nga zonat më të industrializuara të vendit (Tiranë-Rinas-Durrës). Lidhur me dëmshpërblimin e këtyre bizneseve të prekura, ku mendohet se janë me dhjetëra, Shehu u përgjigj i sigurt se, "Bizneset do të kenë prioritet, pasi në konceptin tonë, bizneset do të ndihmojnë në zbutjen e situatës sidomos të punësimit në këto zona. Por hapi i parë do të jetë vlerësimi i dëmeve, i cili do të bëhet me përparësi te biznesi i dëmtuar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›