E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse është euro kaq e fortë?

Kur euro para gjashtë vjetësh u bë mjeti i zakonshëm i pagimit, nuk këmbehej dot as me një dollar. Por, që atëherë euro e ka kaluar kufirin e një dollari e 55 dhe duket se do të arrijë maja më të larta. Ose SHBA-ja gjendet në një recesion ose ndodhet pak para tij. Kur ekonomia dobësohet, paraja e humbet vlerën. Kështu që humbja e vlerës së dollarit nuk është gjë tjetër veçse reagim ndaj vështirësive ekonomike të SHBA-së. Shkaktar i tyre u bë kriza e tregut në pasurinë e patundshme. Bankat amerikane u kishin dhënë pa mëshirë hipoteka edhe atyre klientëve të imobilieve, që nuk ofronin shumë siguri, për të cilët dihej që në fillim se nuk do të mund të paguanin përqindjet dhe likuidimin. Dhe kështu ndodhi ajo që ndodhi. Blerësit e shtëpive, që kishin spekuluar me rritjen e vlerës, nuk ishin në gjendje të paguanin. Ndërkohë, sektori financiar amerikan ka probleme të mëdha, që kanë ndikuar negativisht në ekonominë reale.

Ekziston rreziku i një përzierje të recesionit dhe inflacionit.

Nga i ashtuquajturi stagflacion, kanë frikë më së shumti bankat emetuese, ministrat e Ekonomive dhe të Financave. Këtë e keqëson edhe rritja e çmimit të naftës. Gjithsesi, SHBA-ja nuk është më e pavarur në naftë, por është një importues i madh. N.q.s. rritet çmimi i benzinës, konsumatorit i mbeten më pak para për konsum. Dhe produkti i brendshëm bruto i SHBA-së mbahet me dy të tretat nga konsumi privat. Dhe rënia e konsumit dobëson koniunkturën dhe dollarin. Banka emetuese amerikane mundohet ta luftojë të keqen me para të lira. Përqindjet amerikane kanë rënë në mënyrë shumë të nxituar nga 5.25% në 3%. Dhe ky nuk duket se është fundi i të tatëpjetës. Një tjetër rënie e përqindjeve vetëm në 2.25% është ushqyer ndërkohë nga tregjet financiare, pas kësaj pritet një rrëshqitje tjetër e përqindjeve në vetëm 1.75 për qind. Nga ana tjetër, normat orientuese të interesit në zonën e euros kanë mbetur po ato me 4%. Dhe kjo do të thotë: Avancimi në përqindjen e interesit në SHBA është i kotë. Investuesit largohen nga dollari dhe investojnë para në zonën e euros. Këtu vlen ligji i ekonomisë së tregut, i kërkesës dhe ofertës. Nga oferta e madhe dollari humbet vlerën, ndërsa blerjet e euros ngrenë lart kursin e monedhës së bashkësisë evropiane. Çmimi rekord i naftës shpjegohet me zhvillimin në tregje. Me shtimin e kërkesës në Kinë, Indi dhe vende të tjera në zhvillim, por pjesërisht gjendja e çmimeve, është edhe rezultat i mosbesimit ndaj koniunkturës amerikane dhe dollarit. Edhe më shumë kjo vlen të thuhet për arin dhe metalet e tjera të çmuara, që tregtohen gjithashtu për çmime rekord.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›