Standardet ndërkombëtare të cilësisë, brenda vitit shtohen elementet e sigurisë
Ekonomia shqiptare gjithnjë e më shumë po rrit kërkesat për standarde, kryesisht europiane dhe ato ndërkombëtare. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit, gjatë periudhës janar-mars 2009 janë shitur 264 standarde, pjesa më e madhe e të cilave janë standarde europiane. DPS-ja, duke konsideruar me prioritet kërkesat e ekonomisë në vend për standarde kryesisht europiane dhe ndërkombëtare, adopton çdo muaj, nëpërmjet Komiteteve Teknike, mesatarisht 200-300 standarde “EN” dhe “ISO/IEC”, si standarde shqiptare (SSH), duke i vënë ato në dispozicion të të gjitha palëve të interesuara. "Çdo vit mbi 400 specialistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme angazhohen si pjesë aktive e procesit të adoptimit të standardeve",- thanë burimet zyrtare të DPS-së. Të njëjtat burime nënvizuan se çmimi për një standard shqiptar varion nga 1190-25882 lekë dhe për bashkëpunëtorët çmimet shkojnë nga 595 deri në 12941 lekë, ndërkohë që DPS, në varësi të nevojave të tregut, rishikon politikat e çmimeve dhe ia propozon ato Ministrisë së Financave për miratim. "Çmimet e standardeve shqiptare (SSH) janë afërsisht sa 30% e çmimeve të standardeve ndërkombëtare, ndërsa si rezultat i kërkesave në rritje nga biznesi vendas për të prodhuar dhe shërbyer sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare në fuqi, numri i standardeve të shitura nga viti në vit ka ardhur duke u rritur",- thanë burimet e mësipërme. Sipas tyre, numri i standardeve tërësisht kombëtare ka ardhur në zbritje dhe gjatë tre mujorit të parë të 2009 nuk ka pasur asnjë kërkesë për standard tërësisht shqiptar (vetëm SSH). "Pjesa tjetër e standardeve kanë qenë S SH EN, S SH EN ISO, S SH EN IEC, S SH ISO, që do të thotë se janë të gjitha standarde evropiane (EN) dhe ndërkombëtare (ISO/IEC) të adoptuara si standarde shqiptare",- shtuan burimet zyrtare të DPS-së. Ndër standardet më të kërkuara në botë është standardi ndërkombëtar “ISO 9001” për Sistemet e Menaxhimit të Cilësisë, i cili është përdorur nga mbi 1 milion organizata në 154 vende të botës. Ndërsa standardet me të kërkuara në Shqipëri janë standardet e ndërtimit, të naftës dhe benzinës (S SH EN 590 dhe S SH EN 228), standardet e menaxhimit të cilësisë “S SH ISO 9001” dhe “S SH ISO 17025” për akreditimin e laboratorëve, etj. DPS-ë është anëtare pa të drejtë vote në organizmat evropiane e ndërkombëtare të Standardizimit “CEN & CENELEC” dhe “ISO & IEC”. Ajo ka objektiv të saj kryesor plotësimin e kushteve për t’u bërë anëtare me të drejta të plota në këto organizma dhe përmirësimin e punës së saj sipas modelit dhe praktikave më të mira evropiane e ndërkombëtare.
5 Maj 2009