E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka hap fushatën në Vlorë, në listat e deputetëve, Qetësori i “Big Brother”



Partia Demokristiane ka hapur dje fushatën elektorale në qarkun e Vlorës. Në listën e 12 kandidatëve për deputetë të këtij qarku ndodhet dhe Qetësor Ferruti, një nga personazhet e “Big Brother”, ndërsa lista kryesohet nga kryetari i PDK-së së Vlorës, Baki Jazaj. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, kryetari demokristian Nard Ndoka preku disa nga çështjet më të diskutueshme dhe problematike në vend, si çështja çame, kthimi i pronave, pasiguria në vend etj. Ndoka deklaroi se çështja çame është një çështje kombëtare, dhe jo vetëm një problem i këtij minoriteti, siç është trajtuar gjithmonë. Ndoka tha se PDK-ja do të mbështesë dhe do të jetë një ndër avokatët e saj në Parlamentin e ardhshëm. Duke u ndalur në këto zgjedhje, nga Vlora, kreu demokristian deklaroi se PD-ja vjen me përsëritjen e të njëjtave premtimeve të pambajtura që bëri në fushatën elektorale të vitit 2005, siç është kthimi i pronave, dëmshpërblimi i ish-të dënuarve politikë dhe lufta kundër korrupsionit. Sipas Ndokës, qeveria ka dështuar në plotësimin e këtyre premtimeve gjatë 4 viteve në pushtet. Ndoka deklaroi se vetëm Poli i Lirisë jep një garanci përfundimtare të çështjes së pronës, e cila nuk mund të zgjidhet nga qeveri të majta, pavarësisht flamujve që tundin dhe premtimeve boshe që bëjnë.
“Për fat të keq, pronar të tokave të shqiptarëve në këto 4 vjet u bënë Fazlliçët dhe serbo-boshnjakët e tjerë. Është e qartë se njohjen e pronarëve të ligjshëm dhe kthimin e pronës te pronarët legjitimë nuk mund ta bëjnë ish-komunistët e djeshëm, proletarët dhe matrapazët e politikës së sotme. Poli i Lirisë garanton përfaqësimin e pronarëve legjitimë në Kuvendin e Shqipërisë. Programi i tyre për kthimin e pronës te pronarët legjitimë është program i Polit të Lirisë”, - tha Ndoka. PDK-ja ka prezantuar dhe kandidatët e qarkut të Elbasanit, ku listën e kryeson Ymer Tola.

Mediu prezanton në Korçë kandidaten e PR-së, Myrvete Pazaj

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i shoqëruar nga anëtarë të Kryesisë së partisë, zhvilluan takimin e radhës në qytetin e Korçës. Gjatë këtij takimi kreu i PR-së ka prezantuar kandidaten e PR-së për deputete, Myrvete Pazaj. Gjatë fjalës së tij Mediu është ndalur në çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave. Ai ka theksuar se PR-ja që në fillimet e saj ka qenë mbrojtëse dhe përfaqësuese e ish-pronarëve. “Që në themelimin e PR-së ne kemi kërkuar kthimin e pronës pronarit dhe njohje të pronës private. Pa Partinë Republikane çështja e pronës nuk do të kishte arritur këtu ku është. Ne i kemi përfaqësuar në Parlament, për legjislatura të tëra, pronarët, duke ngritur zërin për kërkesat e tyre, sepse jemi të bindur se duke u kthyer prona tek i zoti Shqipëria do të ketë zhvillim ekonomik dhe se zgjidhja e çështjes së pronës është elementi kyç për anëtarësimin në BE”, - theksoi gjatë fjalës së tij Mediu. “Partia Republikane është e ndjeshme ndaj kërkesave dhe nevojave të shqiptarëve. Më mirë se kurrë kjo dëshmohet në Korçë. Përfaqësimi më i lartë i gruas në politikë është tashmë një nevojshmëri dhe PR-ja po e realizon sa më mirë. Listën shumemërore e kryeson një grua, znj. Myrvete Pazaj, e cila kam besimin se gëzon respektin dhe mbështetjen e qytetit të Korçës”, - tha Mediu.

5 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›