E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri premton ne Vlore ndertimin e nje porti dhe te nje aeroporti



Kryeministri Berisha zhvilloi dje në qytetin e Vlorës një takim me të rinjtë e këtij qyteti. Duke theksuar se Vlora, çdo ditë e më shumë, bëhet metropol europian i Shqipërisë, kryeministri tha se Vlora do të ketë një ndër portet më të mëdha në Ballkan, por edhe një aeroport. “Vlora është sot epiqendër turistike kryesore e vendit. Vlora ka sot një nga qendrat universitare më të fuqishme të vendit. Vlora nga sot do të fillojë të ndërtojë parkun industrial. Vlora ka sot burimin e vet energjetik. Vlora do të ketë njërin prej porteve me të mëdha të Mesdheut. Ky qytet do të ketë aeroportin e tij, ndaj dhe ju do të ndiheni gjithnjë e më shumë si të rinj e të reja, qytetarë të metropolit të vërtetë europian”, - është shprehur Berisha.
Kryeministri premtoi se në mandatin e dytë qeverisës liberalizimi i vizave do të jetë objektivi kryesor për t’u arritur. Por vizita e kryeministrit në Vlorë ka bërë që të ndërpritet mësimi në gjimnaze. Një gjë e tillë ka sjellë reagimin mjaft të ashpër të partive të opozitës, PS, LSI dhe G99. Kreu i PS-së së Vlorës ironizoi vizitën e Berishës në Vlorë. “Kryeministri ka ardhur t’u tregojë të rinjve të qytetit të Vlorës dy rrugë se si integrohemi në Europë. E para, duke bojkotuar mësimin; e dyta, duke i edukuar këta të rinj se duke bojkotuar shkollat të merren me politikë, paçka se nuk e kanë mbushur moshën e tyre. Kjo është dëmtuese për arsimin”, - tha Dede. Ndërkaq, zëdhënësja e LRI-së në Vlorë, Entela Rushiti, tha se kryeministri Berisha është bërë pengesë e zhvillimit të procesit mësimor. Lëvizja Rinore për Integrim e qytetit të Vlorës dënon veprimin e kryeministrit Berisha, që mbylli padrejtësisht dhe fatkeqësisht tempullin e dijes, vetëm e vetëm që ai t’u fliste të rinjve për të gjitha ato gjëra që nuk i ka realizuar sot për sot, në vend që t’u jepte një shembull, se si gjimnazistët duhet të frekuentonin shkollat. Të rinjtë e Vlorës thonë se kryeministri nuk ka asnjë arsye për të ardhur në Vlorë, sepse në krye të këtyre 4 viteve nuk ka bërë asnjë investim për Vlorën”, - tha ajo. Ndërsa kandidati i G99-s në Vlorë, Genci Kojdheli, tha se bllokimi i procesit mësimor është i turpshëm për një qeveri me të drejta të plota në NATO.

5 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›