E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursat për nxënësit, Këshilli Bashkiak do të përcaktojë kuotat



Emanuela Sako

Përcaktimi i kuotave dhe datës së shpërndarjes së bursave për nxënësit e kryeqytetit do të diskutohen nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Do të jetë fundi i muajit tetor afati i mbledhjes së këtij këshilli, ndërsa brenda javës së parë të shtatorit duhet të kenë përfunduar të gjitha këto procedura. Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë të ditur se nxënësit do të njihen me kuotat e përfitimit të bursës pas vendimit që do të merret në Këshillin Bashkiak. Pas kësaj të gjithë nxënësit do të dinë numrin e përfituesve të bursës dhe datën e shpërndarjes së saj.
Ndërkohë që, procedurat e dorëzimit të dokumentacionit për përfitimin e bursës kanë filluar pak ditë më parë dhe do të mbyllen në datën 20 tetor. Megjithëse faza e dorëzimit të dokumentacionit nuk ka përfunduar, burime nga bashkia sqarojnë se janë mjaft aplikantë që kanë bërë dorëzimin e dokumenteve për të përfituar bursë nga bashkia. Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social do të shqyrtojë kërkesat e të gjithë nxënësve, të cilët dëshirojnë të aplikojnë për të përfituar bursë shtetërore. Bashkia ka vendosur si afat të fundit të dorëzimit të dokumenteve datën 20 tetor, të cilat do të dorëzohen pranë Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë që ka përcaktuar kriteret, procedurat dhe dokumentacionin që duhet të ndjekin të gjithë nxënësit për të përfituar të drejtën e marrjes së bursës. Pas përfundimit të këtij afati asnjë nga nxënësit nuk ka të drejtë të aplikojë dhe detyrimisht humbet të drejtën e përfitimit të bursës për këtë vit, 2008-2009. Kështu, aplikantët që kalojnë afatin e dorëzimit të dokumentacionit të plotë, kanë të drejtë të aplikojnë vitin e ardhshëm duke nisur procedurat dhe plotësimin e dokumentacionit nga e para.

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›