Kërcënon punëdhënësin me granatë, mbetet i gjymtuar
SARANDË - Ka dashur të kërcënojë punëdhënësit me granatë, pasi pretendonte se nuk i ishin dhënë paratë, por ka mbetur i gjymtuar nga shpërthimi i saj. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes në Sarandë, në vendin e njohur si "Sheshi i autobusëve". Sipas këtyre burimeve, mësohet se i dëmtuar ka mbetur shtetasi Xhezair Hysa, 40 vjeç, i cili ishte i punësuar si çoban, në zonën e Limjonit në Sarandë. Të dhënat e para hetimore flasin për një konflikt mes tij dhe pronarit për çështje pagese. Pas një sherri që mendohet se ka nisur disa ditë më parë, ai ka tentuar ta kërcënojë, por pa pasur si qëllim të shpërthente granatën. Në momentin e debatit, dyshohet se ajo ka shpërthyer aksidentalisht. Si pasojë e shpërthimit, çobani ka humbur parakrahun dhe në gjendje të rëndë është dërguar në spitalin rajonal, për ndërhyrje kirurgjikale. Në kohën e shpërthimit, në sheshin në qendër të qytetit ka pasur shumë njerëz, të cilët janë alarmuar nga ngjarja. Por për fat nuk ka pasur të lënduar të tjerë. Pas hetimeve, ai u ndalua me akuzën e vrasjes se mbetur në tentativë, prodhim dhe mbajtje të lëndëve shpërthyese luftarake pa leje.
11 Tetor 2008