Juridiku, shpallen zyrtarisht 30 emrat e pedagogëve të rinj
Jonida Tashi
Përfundon rekrutimi i 30 pedagogëve të rinj në Fakultetin Juridik në Tiranë. Dje është bërë dhe shpallja zyrtare e emrave fitues, që do të japin mësim gjatë këtij viti akademik në Fakultetin Juridik. Pas përzgjedhjes së bërë nga komisioni i vlerësimit në këtë fakultet, emrat e përzgjedhur kanë marrë dje edhe firmën e rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Falë emërimit të 30 pedagogëve të rinj stafi akademik i Fakultetit Juridik në tiranë do të dyfishohet. Një vit më parë mësimdhënia në këtë fakultet është kryer nga 30 pedagogë.
Departamentet
Tre departamentet në të cilët do të punësohen pedagogët e rinj janë: Departamenti i të Drejtës Civile, Departamenti i të Drejtës Publike dhe Departamenti i të Drejtës Penale. Emërimi i pedagogëve është bërë i barabartë për të tre departamentet, ku në secilin prej tyre stafi pedagogjik do të shtohet me 10 pedagogë më shumë. Kontrata e punës për të gjithë pedagogët e rinj që do të japin mësim në fakultetet e Universitetit të Tiranës për vitin akademik 2008-2009 do të jetë 1-vjeçare. Emërimet në departamentet përkatës të fakulteteve janë bërë jo vetëm sipas nevojave të tyre për pedagogë, por edhe sipas kritereve që plotësojnë kandidatët e shpallur fitues.
Fituesit
Aktualisht, Universiteti i Tiranës ka shpallur 75 pedagogë të rinj, ndërkohë që në ditët në vijim pritet të mësohen edhe emrat fitues për fakultetet e tjera të tij. Përkatësisht janë shpallur pedagogët e rinj për Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Fakultetin Ekonomik dhe së fundi edhe në Fakultetin Juridik. Tashmë pritet vetëm që të shpallen pedagogët e rinj për Fakultetin e Shkencave sociale, Fakultetin Histori-Filologji si dhe për Infermierinë. Pasi të përfundojë rekrutimi i pedagogëve të rinj edhe në këto tre fakultete do të organizohet një ceremoni në Pallatin e Kongreseve me të gjithë pedagogët e rinj, ku do të marrin pjesë dekanët e fakulteteve, rektori i UT-së si dhe pedagoë të tjerë. Trupës pedagogjike të Universitetit të Tiranës këtë vit akademik do t’u bashkëngjiten 160 pedagogë të rinj. Shtimi i stafit pedagogjik pritet të mbyllë vakuume jo të vogla të stafit mësimdhënës në universitet.
Departamenti i të Drejtës Civile
Jonida Rustemaj
Altin Papare
Ersida Teliti
Petrina Broka
Ilda Muçmataj
Erald Topi
Juliana Bylykbashi
Anjeza Liçenji
Xhensila Kadi
Eniana Qarri
Departamenti i të Drejtës Publike
Iris Petrela
Fjoralba Cakaj
Adea Pirdeni
Erind Mërkuri
Ina Petraj
Erisa Xhixho
Klesta Hysi
Erjon Muharremaj
Erida Pejo
Erlir Puto
Departamenti i të Drejtës Penale
Bojana Hajdini
Enkelejda Turkeshi
Xheni Varfi
Anisa Angjeli
Rezarta Demneri
Skerdian Kurti
Klodian Skënderaj
Alban Koçi
Dorina Hoxha
Artan Hoxha, emërohet me kontratë pune me afat të pacaktuar
Fakulteti i Mjekësisë, Kule heq stazhin sipas krediteve
Studentët që ndjekin studimet në Fakultetin e Mjekësisë
sipas sistemit të Bolonjës, nuk do të kalojnë në stazh sipas krediteve. Në një takim të organizuar dje me rektorin e Universitetit të Tiranës Dhori Kule, ky i fundit u ka premtuar studentëve heqjen e stazhin. Megjithëse të drejtën për të mos mbetur në stazh sipas krediteve të lëndëve studentëve të Mjekësisë ua njeh edhe Bolonja, dekani i këtij fakulteti Alfred Priftanji u kishte vendosur atyre kufizim. Sipas dekanit të Mjekësisë, studentët që do kishin 30 kredite të pamarra do të kalonin në stazh. Pikërisht, ky vendim i dekanit i ka detyruar studentët që për zgjidhjen e këtij problemi tepër shqetësues për të, pasi 30 kredite mund t’i plotësoje edhe me 2 provime të pamarra, ti drejtohen rektorit Kule. Ky i fundit jo vetëm që i ka mirëpritur studentët, por u ka siguruar atyre edhe zgjidhjen e problemit, që sipas Kules është zbatimi i praktikës së vitit të mëparshëm.
11 Tetor 2008