E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursat për nxënësit e studentët, si të aplikoni deri më 5 nëntor

Bursa të plota ose gjysmëbursa për të gjithë studentët e nxënësit që plotësojnë kriteret ekonomike. Afati i fundit i aplikimeve për të gjithë studentët e viteve të dyta dhe të treta, të të gjitha shkollave, është data 5 nëntor 2011. Për vitet e para aplikimi do të nisë më vonë, deri në përfundimin e procedurave të pranimit për të gjithë studentët. Bursa e plotë e ka vlerën 8670 lekë në muaj, gjysmëbursa 4335 lekë në muaj. Fakultetet dhe shkollat kanë publikuar njoftimin ku jepen kriteret dhe dokumentacionet që duhet të plotësojnë aplikantët. Për studentët e vitit të parë, bursa konfirmohet nga bashkia ose komuna. Do të përfitojnë studentët që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre, në largësinë mbi 5 km dhe plotësojnë kriterin ekonomik; studentët që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik; studentët, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë dhe që plotësojnë kriterin ekonomik; studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që kanë mbaruar shkollën e mesme me medalje ari; studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që janë shpallur nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit. Për vitin 2011, numri i tyre do të jetë 25 studentë, si dhe studentët që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me të gjitha notat 10-a. Janë një sërë dokumentesh që duhen plotësuar në mënyrë të detyrueshme për tu klasifikuar si kandidat për marrje burse. Bëhet fjalë për deklaratë nga kryefamiljari; certifikatë familjare e muajit të fundit; të ardhurat e deklaruara të familjes nga kryefamiljari; vërtetim nga bashkia/komuna për trajtim me ndihmë sociale, në të cilën përshkruhen arsyet pse trajtohet ose përse nuk trajtohet; vërtetim nga sigurimet shoqërore; vërtetim papunësie ose punësimi nga zyrat e punës së bashkisë/komunës; vërtetim nga Tatim-Taksat dhe QKR në emër të të gjithë anëtarëve të familjes, nëse ushtrohet aktivitet privat; vërtetim hipoteke për pronësinë tokë/trualli (nëse familja disponon); si dhe vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Kush përjashtohet
Bëjnë përjashtim nga kriteri ekonomik fëmijët studentë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë se Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës. Ata përfitojnë bursë të plotë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›