E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këtu është treg për fukaranë (?!)

Magdalena Alla

Janë katandisur ndër më të keqtrajtuarat. Pikërisht tregjet ku shiten dhe blihen gjërat më të rëndësishme të jetës; ushqimet që i fusim trupit. Shqipëria e 2011-ës, thënë troç, ble dhe ha ushqime sheshit. Mjafton ti biesh rreth e përqark Tiranës, qytetit më përfaqësues të vendit tonë, dhe jo vetëm Tiranës, për të kuptuar se mbështillen me kaq shumë pluhur dhe bakterie me tepri, sidomos tregjet popullore, por jo pak edhe dyqanet e mbyllura. Duke u përcjellë më pas në ushqimet, trupin dhe shëndetin e shqiptarëve.

Mish dhe peshk sheshit

Moj motër! Ne kemi ajrin katërfish të ndotur, po bëhemi kancerozë, e sdo tia dijë njeri, e ti merresh me pluhurin e pulave të mia në hell! , shpërthen me nervozizëm pronari i një prej qebaptoreve tek sheshi Avni Rustemi, ose siç njihet ndryshe Pazari i Ri. Njëri pas tjetrit në varg, si në Shqipërinë migjeniane piqen pula, koka qengji apo qofte, në ambient të hapur, të paizoluar, ndanë një rruge të pistë me ajër të ndotur e tymosur. Ngritur përpjetë nga gazrat apo pluhurat që lëshojnë makinat, këmbët e kalimtarëve, qentë e rrugës apo qymyri pjekës. Edhe një trotuar si mos më keq me njolla sterrë të zeza, sa nga qymyri, e sa nga balta, të shtresëzuara, ngjeshura, forcuara e të palara kushedi që kur. E kallaballëk njerëzish. Hanë aty, anës zhylit, tymit, mizave, të cilave po tu shtosh edhe pamjet e mjeruara të tyre, konfiguron një pazar tipik popullor të varfër, i cili të kujton imazhe unike interneti nga tregjet në Kabul e shumë vende të Botës së Tretë. Kjo pamje e trishtueshme gëlon prej dekadash në një nga tregjet më të rëndësishëm të kryeqytetit shqiptar, por edhe anembanë vendit. Të tillë të ngjashëm janë prodhuar e shumëfishuar ngado, edhe pse ndonjëherë institucionet e higjienës kanë kërkuar mbylljen e tyre. Apo pushteti vendor dhe lokal kanë premtuar hapjen e tregjeve e thertoreve moderne me standarde. Fjalët i ka marrë era dhe pamja ka mbetur e njëjta.

Ke të drejtë! Në shtëpi nuk i lëmë kështu dhe as në dyqan nuk duhen lënë kështu. Kemi pasur xhama, por na thyheshin nga temperatura. Do blejmë të tjerë, përgjigjet njëri nga tregtarët e pulave që piqen në hell në ambient të hapur e të ndotur anës rrugës. Gjen aty rrotull edhe mëlçi, bërxolla dhe pula të papjekura e të pagatuara nëpër kuti, pa kapakë, mbi banakë. Nuk mi ble njeri po ti fus ushqimet në frigorifer apo banak. Nuk i shohin ose iu duken si jo të freskëta. Po fukarenjtë vijnë blejnë këtu, thotë A.Cenoi, tregtar mishi, duke treguar dokumentet e kontrollit nga bashkia, që tregojnë se mishin e ka të vulosur nga veterineri, i cili i mbikëqyr gjithmonë. Me të tilla dokumente janë të pajisur të gjithë. Mishi kontrollohet e nëse rezulton me probleme hanë gjoba nga 10 mijë-50 mijë lekë. Kanë pasur dënime si në kohën e Ramës, edhe të Bashës, por për mishin në fazën fillestare, e jo se si katandiset ai gjatë gjithë ditës në pluhur. Në këtë pikë tregtarët vazhdojnë të jenë të pangacmuar fort, por edhe të pabindur. Na vënë gjoba sa herë iu teket. Këtu na ngelën. Por kur ikin ne i nxjerrim prapë, se duam të ushqehemi edhe ne. Nuk shesim dot ndryshe. Por do na e mbledhin edhe neve. Ta shtyjmë sa ta shtyjmë!, thonë pothuajse të gjithë me radhë.

Stafi i ri i Bashkisë së Tiranës nisi inspektimin e tregjeve dhe ambulantëve në një proces, të cilin e ka ndarë në pesë faza. Duke u krenuar me rezultatet paraprake për vendosjen e më shumë higjiene, së paku për mishin dhe peshkun, që nuk tregtohen më direkt në rrugë. Por prapë pluhuri, grerëzat dhe mizat sulmojnë ende mishin në dyqane e thertore, i cili më pas shpërndahet në mënyrë misterioze nga aty nëpër të gjitha kuzhinat e kryeqytetit, duke rrezikuar sëmundje dhe infeksione. Nuk blejmë mish këtu, thonë shumica e qytetarëve, të cilët pa e ditur mund të marrin të njëjtin produkt, të gatuar apo pagatuar, të shpërndarë diku tjetër për tu shitur.

Kushte më të mira? Të ble frigoriferë të mëdhenj unë? Po të kishim atë buxhet nuk rrinim këtu!, thonë kasapët.

Afër mishit janë vendosur edhe dyqanet e peshkut. Peshqit gjenden ose tërësisht nëpër dyqane, por me dyer hapur, ose në ¾ brenda dhe gjithë faqja e murit e hapur anë rrugës, dmth jashtë. Por së paku, tregtarët e peshkut zakonisht e mbajnë të larë mirë trotuarin dhe rrugën përpara tyre, për tu mbrojtur në këtë mënyrë së paku nga pluhuri.

Fruta-perime sheshit

Fruta-perime të freskëta, të thata apo frigoriferi, të paçara apo të çara, të pambushura apo të mbushura, shiten jashtë edhe ato, në anë të rrugëve kuturu gjithë pluhur të qytetit apo dhe në tregje po me pluhur. Më shpesh mbi disa arka ngritur nga toka, por edhe përtokë fare. Më të tmerrshme mes tyre duken turshitë e mbushura me salcra, të cilat smund të lahen, por edhe gjithçka tjetër që normalisht nuk duhet të shitet jashtë. Edhe arra, lajthi, bajame e me radhë, erëza të shumëllojshme apo edhe miell, edhe këto abuzivisht të hapura. Si në tregje të mëdha, ashtu edhe në tregje të vegjël lagjesh. Eh, edhe ne në Napoli tani vonë i kemi ndaluar fruta-perimet që të shiten jashtë. Ndërsa artikujt e tjerë nuk shiten kurrsesi jashtë, tregon italiani Francesco Capuzzio, i cili sapo ka hapur një restorant në Tiranë.

Tek tregu i Uzinës Dinamo, frutat nuk i prek dot me dorë, se të ngjisin keq duart. Aq keq, tek të gjithë tregtarët njëri pas tjetrit, saqë të vjen vështirë ti vësh në gojë, edhe duke imagjinuar larjen e tyre. Moj zonjë! Këtu jepen me shumicë. E kupton ti çfarë volum pune kemi. Merri laji!, përgjigjet me arrogancë tipike një shitës. Por as fruta-perimet nuk duhen shitur në ambient të hapur, thotë higjenisti Shaban Kamberi.

 

Edhe bulmeti sheshit

Rreziku më i madh pas mishit dhe peshkut qëndron tek bulmeti. Djathi, gjiza, gjalpi, salcrat e kosit futen tek ushqimet më sensitive, pasi nuk mund të lahen. Në tregje, minimarkete dhe supermarkete bulmetrat rezultojnë më të mbrojturat. Të vendosur zakonisht në frigoriferë-banakë. Këto të mbyllur nga jashtë në tre anë dhe non stop të hapur nga përbrenda. E hera-herës i gjen të mbyllur krejtësisht, e hapen atëherë kur duhet, vetëm kur porosit të blerë dikush.

Në tregje popullore, sapo largohen inspektorët e bashkisë, kutitë me salcë kosi, turshi, reçel, liko nxirren nga banaku, hapen kapakët dhe lihen përsëri zbuluar. Por ndodh paradoksi që pikërisht kështu shiten dhe jo në të kundërtën. Nuk shesim po ti lëmë brenda, ripërsërisin tregtarët.

Pa llogaritur rastet alarmante kur fshatarët shesin bulmet nëpër qese plastike kancerogjene apo kova, të lëna hapur e mbështetura direkt në rrugë, pa minimumi asnjë këmbalec mbështetës. Ja, sa bleu njëra, ndaj e kam lënë djathin hapur, përpiqet të justifikojë një fshatare që shet direkt djath në rrugë. E të cilës pak më vonë ia gjen qesen sërish hapur

Fukarai i vdekur është. Këtu është treg për fukaranë!, thotë.

Pambuluar edhe në dyqane

 Janë shumë më mirë, sepse së paku ushqimet janë brenda në dyqan. Por ushqime të gatshme, gjysmë të gatshme, të pambuluara ka edhe brenda katër mureve. Të të gjitha llojeve. Zakonisht do ta gjesh një kovë me ullinj, që sado qese të ketë përsipër, del që e kanë harruar hapur. Mu buzë derës së dyqanit, gjithashtu të hapur anë rrugës. Mbi banak reçel, byrekë, ëmbëlsira, gjjithashtu të pambuluara pa kurrëfarë problemi.

Ti lash apo jo me sapun

Dikur këshillohej fort: Lani frutat dhe perimet me ujë dhe sapun!. Tani edhe këtë e dëgjon rrallë e më rrallë. Pjesa më e madhe e njerëzve as i lajnë frutat apo perimet me sapun, edhe pse ndotja është shumëfi

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›