Retro/Press: Lufta kundër kulturës
Nebil Çika
Lufta që i është bërë kulturës në vendin tonë dhe që po i bëhet akoma edhe sot, prej klasave drejtonjëse t’influencuara nga njerëz me varfëri mendore, si ata që thonë se shkolla e mesme është një luks për ne, formon një nga fenomenet më karakteristike të jetës s’onë politiko-shoqërore. Nga njëra anë bërtasim në çdo rast se “s’kemi njerëz”, se katundari ynë i shkretë s’di të rrojë si njeri, dhe nga ana tjatër, bëjmë ç’është e mundur për të penguar Kulturën, q’është mjeti i vetëm për të formuar “njërëz” e për të mësuar katundarin të rrojë më mirë e sipas çpikjeve të qytetrimit që sigurojnë pastërtinë, komoditetin, kursimin e kohës, prehjen shpirtnore, shkurt shëndetin trupor e mbral.
Një formë e kësaj lufte është taksi doganor që u vu mbi klishetë.
Imazh-i (image = çfaqja e sendeve me anë të pikturës, të skulpturës, të vizatimit, të fotografisë etj), sot ka zënë vend definitivas në krye të mjetesve që përdoren për të formuar dhe për të përhapur Kulturën dhe bashkë me të shijen e arteve, guston e estetikës dhe të humorit etj,. Dhe është lidhur me petagogjinë. Sot s’ka abetare pa imazh, pse me këtë mënyrë mësohet më shpejt dhe më kollaj. Nga ana tjetër s’ka, pothuaj, në vende të përparuarë, gazetë dhe revistë popullore dhe artistike që imazhin të mos e ketë vënë në krye të gaileve të saj. Disa gazeta nga më të mëdhatë e më të përhapurat e Anglisë, t’Amerikës, t’Francës, faqen e fundit të tyre tani e mbushin vetëm me botimin e imazheve që tregojnë ngjarjet më me rëndësi të Botës. Domethënë, lajmet e këtyre ngjarjevet nuk i japin me anë të fjalës më, po me anë të imazhit, sepse me këtë mjet njeriu në 5 minuta i mëson të gjitha ngjarjet e ditës në mënyrë sikur t’i kesh parë me sy në vendin e në kohën kur kanë ngjarë, kurse për t’i mësuar këto duke kënduar kallzimet e tyre me shkrim, do t’i duhej këndonjësit më shumë se një orë. Imazhi pra, është mjet shpejtësie, e shkurton kohën dhe veç kësaj atë që do të thotë me gjallëri, me të gjitha hollësitë e në mënyrën më pikë për pikë. “Një kroqin më jep të kuptoj më shumë se një raport i gjatë, i cili i ka pranuar për devizë një nga gazetat më të mëdha franceze, L’Excelsior. Imazhet që boton në këtë numër të saj Minerva me rastin e mbarimit të vjetit shkollor të manifestimeve që u bënë me këtë rast, thonë më shumë se ç’mund të thoshin dy fletë të gazetës Vatra. Një librari e madhe franceze, Hachete ose Larousse, për t’u mësuar fëmijve njohuritë më të ngatërruara shkencore, ka gjetur mënyrën më të bukur duke botuar Enciklopedinë me imazhe/ “Encyclopedie per image”. Fëmijt, dhe përgjithësisht njerëzit që nga mëndja janë si fëmij, s’mund t’i lësh ta përfytyrojnë pikë për pikë një gjë që s’e kanë parë me sy. Përkufizimi: “Uji shumtë i kaltërt e i kripur” nuk mund të japë kuptimin e detit, njeriut që s’ka parë kurrë det, ashtu plotësisht si ç’e jep një pikturë që tregon një det t’egërsuar e të shkumëzuar me valët e mëdha të tij, i cili herë-herë bëhet i butë si vaji, i vakët, kujtim ngjallës dhe misterioz, sidomos në një natë vere kur e pasqyron në gjirin e tij të lëvizur hënëzën e bukur në katër më dhjetën e saj.
Klisheja që është mjeti i botimit të imazheve, kuptohet pra vetvetiu se është një nga çpikjet më me rëndësi të qytetërimit njerëzor dhe po n’atë kohë një nga mjetet më kryesorë të përhapjes së këtij qytetërimi, si ç’është sinemaja dhe…libri vetë.
Ky mjet i Kulturës po taksohet de, pra, ndër ne!
Një luftë tjatër që i është bërë, prap nga injoranca dhe që i bëhet edhe sot Kulturës, është taksi postar që kanë revistat.
A ka vallë, ndonjë nga klasa drejtonjëse, të shpjegohemi: kur themi klasa drejtonjëse kuptojmë elitën, domethënë autoritetin e lartë, deputetët dhe anturazhet e tyre që, si më të shumët e naturazheve, për arsye ekzistence kanë dallkaukllëkun; ngjetkë, në vëndet e tjerë të qytetëruar, edhe intelektualët janë, me anë të botimeve e të konferencave të tyre pjestarë të klasës drejtonjëse, pse janë me të vërtetë nga Elita e një kombi - a ka pra, ndonjë nga klasa drejtonjëse që të mos e pranojë se revista ësht një mjet kryesor për edukatën dhe kulturën e një shoqërije? Nuk besoj n’ekzistencën e ndonjë guximtari të tillë, veç se të jetë krejt analfabet. Nga ana tjetër s’ka dyshim se revista si mjet kulture, duhet të vejë edhe në fshatrat më t’izoluara, me anë të postës, e cila është, edhe ajo vetë, një ngrehinë qytetërimi.
Mirëpo revistat paguajnë 3 qindarkë ar për çdo numër që peshon gjer më 75 gram e po të peshojë një herë në 6 qindarkë. Kështu Minerva, gjer në këtë numër, paguante për 1800 copë që importon, plot (1800x6) 108 franga ar. Kjo shumë me korrespondencën e revistës arrinte në muaj shumën rrumbullake të 6 napolonave.
U shtrënguam, pra, ta ulim peshën e revistës në 75 gram, duke sakrifikuar kapakun me letër të trashë dhe 4 faqe nga teksti. Kështu duke e zbritur në gjysëm shpenzimin e postës, do t’i bëjmë ballë pjesërisht taksës së klisheve.
Pakësimi i faqeve t’revistës na detyroi që çmimin e saj ta ulim në lekë për copë.
Duhet të durojmë e të dijmë të presim. Në luftën e Ignorencës me Kulturën, fitorja do të jetë pa dyshim e kësaj së dytës. E para është në të perënduar e sipër. Nesër do të bëhet e shkuara. Kështu ka ngjarë në kombet që kanë duruar.