E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush: Do tia dalim

Presidenti amerikan thotë se ekonomitë më të mëdha të botës do të bashkëpunojnë për të zgjidhur krizën financiare

Në takimet që zhvilluan në Uashington, ministrat e Financave dhe drejtuesit e bankave qendrore nga vendet e industrializuara dhe vendet në zhvillim miratuan planin për krizën financiare që ka shkaktuar bllokimin e tregjeve botërore të tregtisë. Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, mori pjesë në disa nga seancat e diskutimeve të djeshme. Ai u takua me zyrtarët evropianë dhe japonezë në Shtëpinë e Bardhë në mëngjes dhe pasdite, dhe shkoi në takimin e ministrave të Financave të vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim. Në takimet e zhvilluara në Fondin Monetar Ndërkombëtar, zyrtarët e lartë të financave nga e gjithë bota miratuan planin e veprimit që u parashtrua të premten nga amerikanët, evropianoperëndimorët dhe japonezët, që përbëjnë grupin e shtatë vendeve më të industrializuara të botës. Në atë takim, të gjithë këto vende të pasura u zotuan të bashkëpunojnë për të shpëtuar bankat që ndodhen në prag të falimentimit dhe të sigurojnë fonde për rifillimin e dhënies së kredive. Një grup më i madh prej 24 vendesh, që përbëjnë komitetin drejtues të Fondit Monetar Ndërkombëtar e miratuan planin. Dominik Shtaus Kan, drejtori i FMN-së, tha se miratimi i planit përbën një arritje të madhe në fushën e bashkëpunimit global për zgjidhjen e asaj që është kthyer në krizën më serioze financiare në 50 vjet. “Ideja jonë ishte që të shkonin përpara dhe të binim dakord si një entitet i tërë për disa parime të përbashkëta. Por nuk ishte e qartë më parë nëse do t’ia arrinim me sukses kësaj. Prandaj jam shumë i kënaqur me këtë sukses kaq të madh në shkallë botërore”, - tha ai. Më parë, Shtraus Kan kishte shprehur shqetësime rreth përmasave të krizës, duke thënë se masat e mëparshme të mara nga evropianët dhe amerikanët për të parandaluar krizën nuk patën rezultat. Në një konferencë shtypi dje, Shtraus Kan u shpreh me optimizëm për masat e reja, që fituan mbështetjen edhe të vendeve të mëdha në zhvillim, si Kina, Brazili, Rusia dhe India, se këto masa do të sjellin stabilizimin e tregjeve. Javën e kaluar tregjet e aksioneve ranë nga 15 në 20 për qind, rënia më e madhe në 30 vjet. Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, mori pjesë në disa nga seancat e diskutimeve të djeshme. Pas takimit të mëngjesit në Shtëpinë e Bardhë me ministra e Financave të vendeve të zhvilluara, Bush u zotua se do të bashkëpunojë ngushtë me to dhe tha se ekonomia botërore do të dalë më e fortë nga kriza: “Ne jemi në këtë situatë së bashku. Ne do ta kapërcejmë atë së bashku. Kam besim se ekonomitë e mëdha të botës do t’i përballojmë me sukses sfidat që kanë përballë”. Ministrat e Financave të vendeve të industrializuara e kishin planifikuar takimin e tyre në Uashington shumë më parë sesa luhatjet e mëdha të tregjeve javën e kaluar. Ata po marrin pjesë në takimin vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore në Uashington. Por pjesëmarrja e paplanifikuar e Presidentit Bush në takimin e FMN-së vuri në dukje angazhimin e pjesëmarrësve për të zgjidhur krizën financiare. Sot, udhëheqësit evropianë do të mblidhen në Paris për të hartuar një plan të përbashkët për t’iu përgjigjur krizës financiare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›