Projekton dhe fiton tenderë
Për vite me radhë, funksionarë të lartë të Ministrisë së Transportit dhe Punëve Publike janë akuzuar për afera korruptive, pasi kanë abuzuar gjatë procesit të tenderimeve, duke marrë shpeshherë edhe rolin e sekserit. Por duket se këtë herë skenari nuk do të mund të linte pa përfshirë zëvendësministrin aktual në dikasterin e lartë ministror. Në fakt, duke iu referuar kohës përpara emërimit të inxhinierit Ernest Noka në postin e zëvendësministrit, nxjerrim në pah fakte të cilat tregojnë për një “dypunësim” të tij me role komprometuese. I referohemi këtu periudhës kur Noka ka qenë i punësuar në kompaninë “Iliriada PKS sh.p.k”, me detyrën e konsulentit dhe anëtarit të grupit të projektimit dhe supervizimit, detyrë kjo që funksiononte paralel me atë të këshilltarit të jashtëm në MTPP.
LetërkëmbimiKrejt rastësisht, gazetës sonë i ra në dorë një letërkëmbim i Ernest Nokës me një kompani italiane, së cilës kemi zgjedhur të mos ia përmendim emrin për arsye të ruajtjes së imazhit. Midis të tjerash, z. Noka i kërkonte bashkëpunim kompanisë në fjalë, me qëllim përfshirjen e saj në tenderë të Ministrisë së Transporteve, ku Noka pretendonte se ishte këshilltar i jashtëm, duke bërë të mundur kështu ndihmë për kompaninë. “Zemërgjerësia” e zëvendësministrit aktual duket se ka qenë e madhe, pasi ofertën e ka shkruar edhe në gjuhën italiane, të cilën e paraqesim në origjinalitet. Në të njëjtën kohë që Ernesti prezantohet si projektues pranë kompanisë “Iliriada PKS”, prezantohet edhe si këshilltar i jashtëm në Ministrinë e Transporteve. A nuk quhet konflikt interesi rasti, kur këshilltari i jashtëm në MTPP është njëkohësisht edhe projektues i shumë veprash në një kompani, e cila me këto vepra ka fituar një lumë me tenderë në këtë ministri?! Ne japim faktet, ju gjykoni vetë!
NdërmjetësimetGjatë periudhës 6-vjeçare të operimit të Ernest Nokës në kompaninë “Iliriada PKS sh.p.k”, kjo e fundit ka përfituar një sërë tenderësh nga Ministria e Transporteve, ku disa prej tyre korrespondojnë me periudhën kur zëvendësministri aktual ka qenë edhe funksionar i jashtëm ministror. Megjithatë, shpresojmë të jetë vetëm rastësi përfitimi i tenderëve prej disa milionë eurosh nga kompania në fjalë, ku ia vlen të përmendet ai i rrethqarkullimit të “Zogut të Zi” në Tiranë, apo edhe përfitimi i tenderit për rrugën Maminas - Gjiri i Lalzit, 25 km, financuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, me vlerë 8 milionë euro. Ajo çka të bën përshtypje, është fakti se këto dhe shumë projekte të tjera që kanë përfituar tenderët e ndryshëm janë vepër e projektimit të vetë z. Noka. Logjika të bën të mendosh se projektet janë realizuar nga zëvendësministri aktual, i punësuar dikur në një kompani, e cila ka fituar tenderët në kohën kur po vetë zëvendësministri ka qenë këshilltar i jashtëm.
Tenderimet në MTPPEdhe sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ministria e Transportit dhe e Punëve Publike me dikasteret e saj vartëse rezulton një nga institucionet që ka vjedhur më shumë gjatë tenderimeve, duke përbërë shkelje ligjore. Janë plot 357 milionë lekë të konsideruara si dëm ekonomik i shkaktuar vetëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, ku pjesa më e madhe korrespondon me rrugën Kalimash-Kukës-Morinë.
Emri: Ernest NokaI punësuar në periudhën 2001-2007
Kompania: “Iliriada PKS sh.p.k”
Detyra: Konsulent, anëtar i grupit të projektimit dhe supervizimit
Projekt-ideja:1- Projektimi i rrugës Kardhiq - Delvinë, (financuar nga DPRR, me vlerë 40 milionë euro)
2- Projekt-ideja e autostradës Fushë-Krujë - Milot, (financuar nga DPRR, me vlerë 35 milionë euro)
3- Projektimi i rrugës urbane nga qyteti i Tiranës deri në dalje të qytetit të Kamzës, financuar nga Bashkia e Kamzës, me vlerë 4.3 milionë euro.
4- Drejtor i Projektit për Supervizionin e Punimeve të Projektit Rajonal të Veriut të Shqipërisë, për Ujësjellës-Kanalizime, financuar nga IDB, me vlerë 4.5 milionë dollarë.
5- Udhëheqës Projekti për Rehabilitimin e Shkollave financuar nga IDA. (projekte, dokumente të tenderit, supervizionin për 45 shkolla në të gjithë Shqipërinë.
6- Drejtor i Projektit të zbatimit dhe Supervizionit të Sistemit të Ujësjellës-Kanalizimeve të Maqellarës, financuar nga qeveria e Luksemburgut, me vlerë 5 milionë euro.
Autori i projektit të.
7- Projektues strukturash për ndërtesa shumëkatëshe në Sarandë, Tiranë etj.
8- Udhëheqës projekti për 10 kopshte në Tiranë, financuar nga Bashkia e Tiranës.
9- Projekti për Sistemin e Ujësjellësit të Tepelenës, financuar nga DPUK me vlerë 1.5 milionë USD.
10- Autor/bashkautor në një numër të madh projektesh të një shkalle të mesme si: rrugë, ura, ujësjellës kanalizime, kanale kulluese, shkolla, vila, projekte industriale të financuara nga CARDS Program, IDA, DPRR, bashkitë e ndryshme të Shqipërisë, private etj.
Letra e Ernest Nokës drejtuar kompanisë italiane Studio:“Iliriada PKS sh.p.k”
Tiranë, Albania
Descrizione attività professionale:
Sono un progestista che fa parte di una compania di progetazione di'Inginieria Civile in Albania. Ho trovato per caso i suoi prodotti sull internet. Mi sembrano assai uttili sopratutto per i grandi progetti della infrastruttura in Albania. I,informazione che mi darete sara distribuitta anche al Ministere dei Lavori Publici ed Transporto perche io faccio parte come consigliere esterno al Ministero.
Saluti Cordiali
Ernest Noka
Collaboratori:
Kujtim Çela
Ajkid Topore etc.