Si e dërguam dosjen Bako në KLD
BURREL - Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, Artan Çupi, sqaroi dje për “Korrierin” detajet e dërgimit të dosjes “Bako” në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ai tha se gjithçka lidhet me gjykimin që kryhej në këtë gjykatë për shtetasin L. I. “Fillimisht këtë çështje e gjykonte gjyqtari Murat Lleshi”, tha Çupi. I pandehuri kërkoi përjashtimin e tij dhe kjo u vendos më pas nga gjyqtari Rexhep Karaj. U rishqyrtua çështja dhe shorti përcaktoi si gjyqtar Karajn, që nisi shqyrtimin e çështjes penale. “Pikërisht teksa procesi kishte nisur, prokurori Naim Tota deklaron dorëheqjen për motive që unë nuk i njoh”, rrëfen kryetari i Gjykatës Burrel. Prokuroria e rrethit ia besoi çështjen prokurorit Abaz Muça, që sapo mori çështjen, kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Rexhep Karaj, duke argumentuar se ky gjyqtar kishte kërkuar përjashtimin nga gjykimi të kësaj çështjeje të një gjyqtari tjetër. Kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit Karaj me short i ra gjyqtarit Vesel Bako. “Avokatja e të pandehurit i ka kërkuar gjyqtarit Bako ta gjykonte këtë çështje me objektivitet dhe të mos ndikohej nga të tjerët”. Kryegjyqtari pohon se në zyrën e tij ka trokitur avokatja dhe e ka informuar atë se gjyqtari Vesel Bako është shprehur se: “Gjyqtari Rexhep Karaj më ka përjashtuar në katër raste të tjera nga gjykimi i çështjeve, ndaj unë do të hakmerrem”. Artan Çupi shprehet se mbrojtësja i ka deklaruar atij në zyrën e tij, se “familjarët e të pandehurit janë të shqetësuar dhe kërkojnë të kontaktojnë me ju”. “Unë nuk e pranova një gjë të tillë, por komunikova vetëm me avokaten. Ajo më tha se gjyqtari Vesel Bako është filmuar dhe kasetën filmike do ta dorëzonte në gjykatën e rrethit. Unë ballafaqova Bakon dhe avokaten në zyrën time. Pikërisht në këto momente gjyqtari Vesel Bako paraqiti kërkesën për përjashtim nga shqyrtimi i çështjes në fjalë nga Rexhep Karaj”, thotë Çupi, i cili e refuzoi këtë kërkesë, me argumentin se nuk kishte bazë ligjore. Sipas tij, më 07.10.2008 ai ka mbledhur të gjithë gjyqtarët e kësaj gjykate dhe i ka informuar rreth problemeve që ishin ngritur ndaj gjyqtarit Vesel Bako. Ndërkohë, gjyqtari Bako ka njoftuar prokurorinë, ku i bën me dije se pranë kryetarit të Gjykatës Mat është dorëzuar një kasetë filmike”. Çupi tha se të gjithë materialet e grumbulluara i janë përcjellë me korrektësinë më të madhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Kasetën filmike dhe shkresa të tjera shoqëruese i kam dorëzuar në KLD. Jam thirrur nga inspektorët e KLD-së dhe kam dhënë sqarimet përkatëse. Nuk më përket mua të them se cilat do të jenë masat që do të merren ndaj gjyqtarit në fjalë”, deklaroi ai. Burime të rezervuara sqarojnë se kaseta filmike paraqet gjyqtarin Vesel Bako teksa tërheq një shumë të hollash. Nuk bëhet me dije se kush ia “dhuronte” këto para, as shuma e dhënë nuk dihet, por “kamera e fshehtë” ka kapur qartësisht gjyqtarin Bako që po merrte paratë. Gjyqtari Bako është shprehur se “persona të caktuar kërkojnë të denigrojnë figurën e tij dhe se kishte kallëzuar në prokurorinë e rrethit avokaten e çështjes së L. I.”.