Bush: Nuk duam konfrontim me Rusinë, por Moska po izolohet
Presidenti Bush e ka akuzuar Kremlinin për prepotencë dhe frikësim, teksa trupat e Moskës vazhduan të operojnë në thellësi të republikës së Kaukazit.
Zoti Bush paralajmëroi se Rusia ishte duke shkuar drejt një izolimi ndërkombëtar.
Sekretarja e Shtetit ndodhet ndërkohë në Gjeorgji për të diskutuar një plan armëpushimi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Presidenti rus, Dmitri Medvedev ka kërkuar përsëri që Gjeorgjia të firmosë marrëveshjen menjëherë, por ai shtoi se vetëm Rusia mund të garantonte paqen në rajon.
Ai po fliste pas bisedimeve në Rusi me kancelaren gjermane, Angela Merkel që i kritikoi aksionet e Moskës si të tepruara.
Presidenti Bush theksoi se nuk ishte duke kërkuar konfrontim me Rusinë.
"Vetëm Rusia mund të vendosë nëse do ta vërë veten në rrugën e kombeve të përgjegjshme, apo të vazhojë të ndjekë një politikë që premton vetëm konfrontim dhe izolim."
"Për të filluar të përmirësojë marrëdhëniet e saj me SHBA-në dhe vendet e tjera dhe të fillojë të rikthejë vendin e saj në botë, Rusia duhet të respektojë lirinë e fqinjëve të saj", tha presidenti Bush.
Trupat mbeten në Gjeorgji
Më herët, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, tha se marrëdhëniet do të prekeshin si rezultat i konfliktit në Gjeorgji.
Ai tha se sjellja e Rusisë kishte pasoja shumë të mëdha, përsa i përket sigurisë.
Duke iu përgjigjur deklaratave amerikane per ruajtjen e integritetit territorial i Gjeorgjisë, ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin, tha se integriteti territorial Gjeorgjian ishte një çështje komplekse.
Tre ditë pas ndërmjetësimit të armëpushimit mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, trupat ruse vazhdojnë të mbeten në thellësi të territorit gjeorgjian.
Një korrespondent i BBC-së në portin kryesor të vendit Poti, 35 km në përndim të rajonit të Abkhazisë, thotë se forcat ruse kanë marrë kontrollin e kantjerit detar.
Ai njoftoi se kishte parë personel të armatosur dhe rreth 10 kamionë që transportonin trupa që mbanin stemat e paqerujatësve dhe që dukeshin të angazhuar në një mision ndëshkimi për të shkatërruar pajisjet e ushtrisë gjeorgjiane.
Korrespondenti thotë se ka edhe një kontigjent ushtarak rus më në thellësi pranë qytetit Senaki dhe forcat ruse ende kontrollojnë qytetin Gori pranë rajonit të Osetisë Jugore.
Gjatë një konference për shtyp ushtria ruse tha se kishte marrë kontrollin e një depoje pranë Senakit, ku gjeti armë të prodhuara në SHBA.