E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush: Pas ftesës duhen reforma të mëdha

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkojnë Shqipërisë dhe Kroacisë, që të justifikojnë besimin që Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO) i dha duke i ftuar për t’u bërë pjesë e saj. Presidenti amerikan George Bush, nga sheshi kryesor i Zagrebit “Sant Mark”, ndërsa ka përshëndetur Kroacinë dhe Shqipërinë për marrjen e ftesës së anëtarësimit në familjen e madhe Veri-Atlantike, ka kërkuar prej tyre realizimin e reformave konkrete për të arritur standardet e kërkuara për të qenë anëtare të NATO-s me të drejta të plota. “Sot, këtu në breg të Adriatikut, jemi së bashku si njerëz të lirë. Ne jemi të nderuar që ju mirëpresim në NATO, por presim reforma të nevojshme, që të bëni përpara në Aleancë”,- shtoi mes të tjerash Bush, në fjalën e tij përshëndetëse që mbajti para popullit kroat. Gjithashtu, Presidenti i shtetit më të fuqishëm në botë ka përshëndetur marrjen e ftesës nga Shqipëria dhe Kroacia, si një vlerësim i merituar për atë që këto dy shtete kanë bërë jo vetëm në kuadrin e zhvillimeve demokratike brenda tyre, por edhe me rreshtimin përkrah aleancës së madhe në luftë kundër terrorizmit. “Faleminderit Kroaci, Faleminderit Shqipëri!”, ishin dy shprehjet falënderuese që presidentit Bush përcolli për dy popujt më të rinj që janë ftuar për t’u bërë pjesë e aleancës më të madhe politiko-ushtarake në botë. Ndërkohë, nga ana tjetër, kreu i Shtëpisë së Bardhë shprehu keqardhje për dështimin e Maqedonisë në Samitin e Bukureshtit, duke garantuar gjithashtu se kjo mbetet vetëm çështje kohe. Sipas tij, Maqedonia po bën përpjekje, por ftesa u shty vetëm për shkak të konfliktit me Greqinë. “Pas zgjidhjes se çështjes, Maqedonia të bëhet pjesë e NATO-s sa më shpejt të jetë e mundur”, - deklaroi presidenti Bush. Pavarësisht këtij fakti, Bush e falënderoi Maqedoninë për përpjekjet që ka bërë për anëtarësim në NATO, duke shtuar se “dyert” e kësaj organizate janë të hapura, sapo të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë. Ai e garantoi atë se, pavarësisht mosmarrjes së ftesës në këtë moment nga shteti maqedonas, SHBA do të garantojë lirinë e plotë të tij. Më pas, ai ka drekuar së bashku me drejtuesit e lartë të tre shteteve anëtarë të Kartës së Adriatikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›