Topi e Berisha, në drekën e dytë me Bush
Për të dytën herë brenda një intervali kohor prej një viti, krerët e shteteve anëtare të “Adriatik 3” kanë pasur rastin që të drekojnë me Presidenti e SHBA-ve, Xhorxh W.Bush. Pas drekës së punës të zhvilluar gjatë qershorit të kaluar në Shqipëri, drejtuesit më të lartë shtetërorë të Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë (gjatë drekës së shtruar në Tiranë në 11 qershor të 2007 nuk ishin të pranishëm presidenti maqedonas, Branko Cervenkovski dhe ai kroat, Stipe Mesiç) kanë drekuar dje në Zagreb të Kroacisë përsëri me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Bush. Dreka e punës u zhvillua me iniciativën e presidentit Bush dhe me pjesëmarrjen e Kreut të Shtetit të Kroacisë, Stjepan Mesiç dhe kryeministrit kroat, Ivo Sanader, presidentit të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski dhe kryeministrit Nikola Gruevski dhe kryeministrit shqiptar Sali Berisha, pas ftesës që mori Shqipëria dhe Kroacia në Samitin e Bukureshtit për t’u bërë anëtarë të NATO-s. Siç bënë të ditur dhe zyra e shtypit e Presidencës, kreu i shtetit shqiptar gjatë kësaj dreke ka mbajtur dhe një fjalim përshëndetës, ku ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për besimin dhe mbështetjen që kanë dhënë në vazhdimësi për vendet e A3. Pasi falënderoi presidentin Bush dhe presidentin kroat Mesiç për ftesën, kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi i bëri të qartë presidentit Bush, mirënjohjen e gjithë popullit shqiptar për besim që aleanca tregoi ndaj shtetit shqiptar. “Ne vijmë në Zagreb pas vendimeve shumë të rëndësishme të Samitit të Bukureshtit, për të cilat u jemi mirënjohës vendeve të Aleancës, por në mënyrë të veçantë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit Bush, të cilët besuan se zgjerimi i NATO-s me anëtarë të rinj të rajonit, do të sjellë një frymëmarrje të ndryshme edhe për vendet e tjera”,- mësohet të jetë shprehur kreu i shtetit shqiptar në fjalën e vet. Presidenti Topi theksoi gjithashtu se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përveçse është një vlerësim i arritjeve të deritanishme të reformave në gjirin e shoqërisë shqiptare, përbën një platformë politike, ushtarake, ekonomike, sociale të detyrueshme për t’u ndjekur dhe për t’u realizuar në afatet e duhura jo vetëm në planin kombëtar, por edhe në atë global. “Ne jemi të ndërgjegjshëm për këto sfida. Unë besoj se do t’i përballojmë ato edhe sepse përkrah nesh ndjejmë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”,- ka theksuar Topi. Ndërkohë ai ka shprehur besimin se qeveria amerikane do të japë e para shembullin për të orientuar dhe nxitur më shumë investimet amerikane në këtë hapësirë të re të Aleancës, përfshi edhe Shqipërinë. “Shpreh besimin se qeveria amerikane do të japë e para shembullin, për të orientuar dhe nxitur më shumë investimet amerikane në këtë hapësirë të re të Aleancës, si prova e sigurisë e stabilitetit afatgjatë në vendet tona”, - ka theksuar Topi. Ndërkohë që gjatë paradites së djeshme, delegacioni i shtetit shqiptar i kryesuar nga presidenti Topi pati një takim me presidentin Bush në selinë e qeverisë kroate dhe më pas mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga kryeministri kroat, Sanader, me rastin e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO të Kroacisë.