PS: Në votime, vetëm ai që ka Kartë Identiteti
Çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, nuk do të mund ta ushtrojë këtë të drejtë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pa pasur emrin në Regjistrin Kombëtar Elektronik dhe pa qenë i pajisur me Kartë Identiteti. Kjo do të bëhet e mundur nëse shumica qeverisëse do të përkrahë propozimet e Partisë Socialiste për ta sanksionuar një gjë të tillë në Kodin Zgjedhor që pritet të amendohet brenda këtij sesioni parlamentar. Propozime të cilat janë bërë të ditura dje nga bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Kastriot Islami, i cili duke shpjeguar hapat që do të hidhen në ditët në vijim në këtë drejtim, ka theksuar se socialistët do të këmbëngulin që të vendosin si detyrim ligjor në Kod, votimin vetëm me karta identiteti dhe kur ata kanë emrin në regjistrin elektronik. “Mbetet e domosdoshme realizimi i dy elementëve të tjerë, që janë përgjegjësi e plotë e qeverisë, pra, prodhimi i kartave të identitetit dhe i listave të votuesve. Ne (socialistët) do të kërkojmë që në Kodin Elektoral të shkruhet shumë thjeshtë: votuesit të votojnë me Kartë Identiteti dhe vetëm ato që janë në listat e zgjedhësve të prodhuar në mënyrë elektronike”,- u shpreh Islami. Një detyrim ky që bën të domosdoshëm prodhimin sa më parë të kartave të identitetit dhe shpërndarjen e tyre, për të gjithë qytetarët që në zgjedhjet e 2009 do të kenë mbushur moshën për të marrë pjesë në votime. Ndërkohë që Islami është shprehur gjithashtu se pavarësisht kundërshtive të partive të vogla, në mirëkuptim edhe me demokratët, pritet që në fillimin e javës së ardhshme të nisë diskutimi i propozimeve të bëra nga socialistët për amendimin e Kushtetutës nga Komisioni i Ligjeve dhe miratimi më pas i tyre në seancën plenare, amendime që kanë si qëllim ndryshimin e sistemit zgjedhor nga mazhoritar i korrektuar me proporcional, në proporcional-rajonal, me zona shumemërore. Përsa i përket çështjes së miratimit në Kuvend, ai ka garantuar se tashmë është arritur që të sigurohet numri i duhur prej 93 votash që duhen për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, kjo falë mbështetjes së PD-së dhe PSD-së, të cilat kanë premtuar se do të votojnë pro tyre. “Është një amendament që është firmosur nga 33 vetë nga PS-ja dhe nga konsultimet paraprake rezulton që edhe PSD do ta mbështesë këtë ndryshim kushtetues, sigurisht, duke pasur edhe ajo propozimet e saj, ndoshta në vijim, kur të reflektohen në Kodin Zgjedhorë. Pjesa tjetër i mbetet maxhorancës për të thënë se cili është numri i votave që ato kanë në dispozicion, pra, ne kemi vënë maksimumin e votave në dispozicion, të paktën nga këndvështrimi i PS-së, për të miratuar këtë amendament kushtetues. Natyrisht, edhe njëherë tjetër përsëris që krahas votave të maxhorancës, ne do të ftojmë të gjithë aktorët politikë, pavarësisht nga dimensionet, për ta mbështetur këtë amendament kushtetues”,- tha Islami. Më pas, ka bërë të ditur ai do të kalohet për reflektimin e këtyre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Natyrisht, të vetëdijshëm se kalimi i këtyre ndryshimeve në Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore do të jetë i pamundur për shkak të votës kundër të partive të vogla, dy partitë e mëdha kanë vendosur që t’i kalojnë ato direkt për votim në seancë plenare. “Natyrisht, faza e parë e punës do të lidhet me reflektimin në të gjitha ato nene që lidhen me ndryshimin e sistemit zgjedhor të këtij ndryshimi kushtetues, më tej, në agjendën e veprimeve të këtij komisioni, do të jenë edhe çështje të tjera siç është administrimi, siç është çështja e hetimit, siç është çështja e kompozimit të komisioneve zgjedhore të të gjitha niveleve, çështja e financimit të fushatave elektorale, etj.”,- u shpreh Islami. Ndërkohë ai ka garantuar se reforma zgjedhore do të mbarojë brenda këtij sesioni parlamentar.