Bush “Pavarësia e Kosovës sjell paqe dhe stabilitet”
Fjala e Presidentit të Shteteteve të Bashkuara, Xhorxh W. Bush, për Kosovën
“Të dielën, populli i Kosovës deklaroi pavarësinë e tij. Ata iu kërkuan njohje diplomatike Shteteve të Bashkuara dhe dje Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Kosovën si vend sovran dhe të pavarur. Në Deklaratën e saj të Pavarësisë, Kosova u angazhua për standardet më të larta të demokracisë, përfshi lirinë, tolerancën dhe drejtësinë për qytetarët e të gjitha përkatësive etnike. Këto janë parime që nderojnë dinjitetin njerëzor, janë vlerat, të cilat Amerika kërkon nga një mik dhe shpejt ne do të vendosim marrëdhënie të plota diplomatike me shtetin e ri të Kosovës.
Ne do të punojmë me udhëheqësit e Kosovës për të kryer një kalim të butë dhe paqësor drejt pavarësisë. Amerika mirëpret angazhimet e Kosovës për të zbatuar plotësisht planin e Ahtisaarit, të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara dhe për të pranuar një periudhë mbikëqyrjeje ndërkombëtare. Ne nxisim udhëheqësit e Kosovës të miratojnë me shpejtësi dispozitat e planit ‘Ahtisaari’, në veçanti ato që synojnë mbrojtjen e të drejtave të bashkësive joshqiptare në Kosovë.
Pavarësia e Kosovës është një hap historik për rajonin e Ballkanit. Ajo përbën një mundësi për të ecur përtej konflikteve të së shkuarës dhe drejt një të ardhmeje në liri, stabilitet dhe paqe. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për t’iu ofruar të gjitha vendeve të këtij rajoni perspektivën e integrimit në strukturat e bashkësisë euro-atlantike. Në këtë mënyrë, të gjithë popujt e Ballkanit do të jenë në gjendje të shohin mundësinë e një jete më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre.
Zoti president, a nuk është ky një provokim ndaj Vladimir Putinit dhe të tjerëve që thonë se tërthorazi ju po miratoni lëvizjet për ndarje kudo pa dallim?
Në fakt, ne kemi punuar ngushtë me rusët, ashtu si edhe me evropianët dhe vende të tjera për pavarësinë e Kosovës, sepse ne besojmë se është gjëja e drejtë për t'u bërë. Ju e dini, ka mosmarrëveshje, por ne besojmë, ashtu si edhe shumë vende të tjera, se kjo është – se historia do të provojë se kjo është lëvizja e duhur për të sjellë paqe në Ballkan. Kjo strategji ka kohë që zhvillohet. Dje, për shembull, ne punuam me aleatët tanë evropianë për të bashkërenduar, për t’u siguruar se kishte zëra të bashkërenduar dhe konstantë në mbështetje të kësaj lëvizjeje. Shtetet e Bashkuara mbështesin këtë lëvizje, sepse ajo do të sjellë paqe. Dhe tani na takon të gjithë ne të punojmë së bashku për të ndihmuar kosovarët ta arrijnë këtë paqe. Dhe është e rëndësishme për të gjithë ne t'i kujtojmë Kosovës – gjë që unë sapo e bëra – që ata duhet të përmbushin angazhimet e tyre për të përkrahur të drejtat e jo-shqiptarëve, jo- kosovarëve brenda vendit.
Zoti president, faleminderit shumë. Kur folët për radhën e veprimeve, a e shtytë mbështetjen, njohjen dhe pritët deri sot në mëngjes për ndonjë arsye të veçantë apo si një favor për rusët?
Jo, Hans, siç ju thashë, punuam me vendet evropiane. Kjo strategji ishte e planifikuar më së miri. Dhe shprehja e mbështetjes, meqë ra fjala, nuk u shty deri këtë mëngjes; u deklarua mbrëmë nga Departamenti i Shtetit, siç e përmenda në fjalën time.
Por, ishte një mënyrë për të krijuar një efekt që tregonte se shumë në botë mbështesin fort pavarësinë e Kosovës. Pozicioni ynë ka qenë shumë i qartë gjatë gjithë kohës. Në takimin e G8 për shembull, ose në Shqipëri, unë shpreha shumë qartë qëndrimin tim, kështu që nuk duhet t'i duket askujt si surprizë.
Ajo që mund të jeni të interesuar të dini është se ne kemi qenë në konsultim të ngushtë me rusët gjatë gjithë kohës. Kjo nuk ishte një surprizë për Rusinë. Dhe, ta dini, deklarata e sotme thjesht i vendos një pikëçuditëse serisë së deklaratave që janë bërë në 24 orët e fundit.