E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Bush ndez dritën jeshile: Kosova e Pavarur

Nga Tema

Presidenti amerikan, George W. Bush, shtyp “butonin” për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga liderët botërorë. 24 orë pasi kishte përshëndetur hapin e Kuvendit të Kosovës, presidenti Bush ka hapur rrugën e njohjes zyrtare përmes deklaratës se “kosovarët janë tashmë të pavarur”. Bush, nga Tanzania ku ndodhej për vizitë, shtoi se njohja e Kosovës si shtet nga SHBA bëhej sipas rekomandimeve të planit ‘Ahtisaari’, të mbështetur nga OKB. “Siç e thashë dje, plani ‘Ahtissari’ është modeli që duhet ndjekur. Kosovarët janë tashmë të pavarur dhe këtë e kam mbështetur bashkë me qeverinë time”, - deklaroi Bush për rrjetin televiziv NBS nga Tanzania. Pak orë më pas SHBA deklaroi njohjen zyrtare përmes një deklarate të sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleezza Rice. Në një deklaratë të botuar në Uashington, Rice shprehej: “Shtetet e Bashkuara “njohin sot zyrtarisht Kosovën si shtet sovran dhe i pavarur”.

Disa orë më vonë, Brukseli do të pasonte me deklarata radhazi për njohjen e Pavarësisë nga liderët kryesorë të BE, ndërsa gjeografia e njohjes kapi thuajse të gjitha hapësirat e globit, diku me deklaratë të qartë e diku të dyzuar. “Kemi ndërmend ta njohim pavarësinë e Kosovës”, - tha ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, që foli i pari. Pas tij, ministri italian, gjerman dhe britanik, përkatësisht Massimo d’Alema, Frank-Walter Steinmeier dhe David Miliband, bënë njoftime të ngjashme, duke u pasuar disa orë më vonë edhe me njohjen zyrtare.

Reagimi i BE

Që herët në mëngjesin e së hënës, sytë ishin drejtuar të gjithë në Bruksel, ku ministrat e Jashtëm të BE kishin paralajmëruar prej kohësh një takim. Ndërkaq, kryediplomati slloven, Rupel, vendi i të cilit kryeson BE, tha dje se Bashkimi Evropian është i bashkuar në lidhje me Kosovën, pavarësisht se vendet anëtare do të jenë të lira të vendosin individualisht për ta njohur pavarësinë e saj. “Bashkimi Evropian i mbijetoi dhe njëherë kësaj prove uniteti dhe ne kemi miratuar konkluzionet, ne kemi një qëndrim të përbashkët”, - tha Dimitrij Rupel në një konferencë shtypi. Më pas, ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian reaguan edhe pas ngjarjeve në Beograd e Mitrovicë. Ata dënuan përmes një deklarate “aktet e fundit të dhunës” në Kosovë dhe Serbi kundër misioneve diplomatike dhe iu bënë thirrje autoriteteve të garantojnë sigurinë e qytetarëve evropianë atje. “Këshilli dënon aktet e fundit të dhunës në Serbi dhe Kosovë, veçanërisht kundër misioneve diplomatike dhe iu kërkon autoriteteve të garantojnë sigurinë e qytetarëve evropianë dhe pasurive të tyre”, - thuhej në një deklaratë të miratuar në Bruksel nga ministrat e Jashtëm të bllokut perëndimor. “Këshilli i bën thirrje Serbisë dhe Kosovës të respektojnë angazhimet e mëparshme për të shmangur të gjitha veprimet apo deklarimet e një natyre që mund ta përkeqësojnë situatën”, - vijoi deklarata.

Parlamenti Evropian

Kryetari i Parlamentit Evropian, Hans-Gert Pöttering, vlerësoi dje se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbënte “precedent” nga fakti i veçantisë së saj. “Nuk duhet parë aspak si precedent, për nga statusi i saj si territor nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara, Kosova është një rast i pakrahasueshëm me asnjë tjetër”, - deklaroi Pöttering, duke hapur sesionin e shkurtit në Strasburg. Pöttering iu bëri thirrje gjithashtu serbëve dhe shqiptarëve “për qetësi dhe maturi”, si dhe inkurajoi autoritetet e Kosovës për “ngritjen e institucioneve garante për respektimin e të drejtave dhe lirive të të gjithëve, në kuadrin e një Kosove multietnike, që ka marrëdhënie të mira me vendet fqinje”. BE duhet t’i ndihmojë “njerëzit si në Kosovë, edhe në Serbi për të kapërcyer mosmarrëveshjet në perspektivën e integrimit evropian, një perspektivë që e kanë të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, edhe pse nuk mund të realizohet në planin afatshkurtër”, - shtoi ai.

Deklarata e SHBA për njohjen e Kosovës së Pavarur

“Shtetet e Bashkuara njohin sot zyrtarisht Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Ne përshëndesim popullin e Kosovën në këtë moment historik. Presidenti Bush iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Kosovës për të vendosur marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve. Vendosja e këtyre marrëdhënieve do të konsolidojë lidhjet e veçanta të miqësisë mes popujve të Shteteve të Bashkuara dhe të Kosovës. Nëntë vjet më parë, komuniteti ndërkombëtar, i udhëhequr nga NATO, ndërhyri për t’i dhënë fund sulmeve brutale ndaj popullatës shqiptare të Kosovës. Kjo ndërhyrje në kohën e duhur i dha fund dhunës, duke çuar në vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për t’i pezulluar Beogradit të drejtën për të qeverisur Kosovën dhe për ta vënë atë nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara. Që prej atëherë, Kosova ka ngritur institucionet e saj demokratike jashtë kontrollit të Beogradit. Vitin e kaluar i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, hartoi një plan për ndërtimin e një Kosove demokratike dhe shumetnike dhe rekomandoi që Kosova të jetë e pavarur, një pavarësi e mbikëqyrur për njëfarë periudhe nga komuniteti ndërkombëtar. Në kuadrin e konflikteve të viteve ‘90, pavarësia është i vetmi opsion i mundshëm për të nxitur stabilitetin në rajon. Shtetet e Bashkuara mbështesin planin ‘Ahtisaari’ dhe do të punojnë me partnerët e tyre ndërkombëtarë për ta vënë atë në zbatim. Ne mirëpresim angazhimet që Kosova bëri në shpalljen e pavarësisë për të zbatuar planin ‘Ahtisaari’, për të përqafuar aspektin shumetnik si një parim themeltar i qeverisjes së mirë dhe për të mirëpritur periudhën e mbikëqyrjes ndërkombëtare. Kombinimi i pazakontë i faktorëve në realitetin e Kosovës, përfshirë edhe shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, historinë e spastrimeve etnike dhe krimeve kundër civilëve në Kosovë, si dhe periudha e zgjatur e administrimit të OKB, nuk gjenden tjetërkund dhe prandaj e bëjnë Kosovën një rast unik. Kosova nuk mund të shihet si një rast pararendës për asnjë situatë tjetër në botë sot. Shtetet e Bashkuara e shfrytëzojnë këtë mundësi për të ritheksuar miqësinë tonë me Serbinë, si një aleate gjatë të dyja luftërave botërore. Ne i ftojmë udhëheqësit serbë të punojnë së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë për të përmbushur synimet tona si mbrojtjen e të drejtave, sigurisë dhe jetesës së komunitetit serb në Kosovë. Ndërkohë që Kosova fillon sot jetën e saj si një shtet i pavarur, Shtetet e Bashkuara zotohen të vazhdojnë të jenë miku dhe partneri i saj i ngushtë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›