Një rajon i ri, po Shqipëria?
• Sotiraq HroniMe pavarësinë e Kosovës, realisht që rajoni ka hyrë në një epokë të re zhvillimesh. Të gjithë kanë përcjellë përmes medias ceremonialin historik dhe të gjithë reagimet e lidershipit kosovar, në lidhje edhe me situatën rajonale e globale pas deklaratës për pavarësi. Të bën përshtypje mbresëlënëse urtësia vizionare e klasës politike kosovare dhe pritshmëria e saj nga vendet e tjera të rajonit. Thaçi, por edhe të tjerët në prononcimet për shtyp, kanë bërë një kujdes të jashtëzakonshëm për të projektuar të ardhmen e Kosovës edhe brenda rajonit. Duket sikur ata dinë të lexojnë më mirë se Tirana se Kosova është një vend që kërkon miqësinë dhe bashkëpunimin me të gjithë vendet e rajonit. Për më tepër, ata nuk kanë shfaqur asnjë emocion për zhvillimet serbe pas aktit të pavarësisë. Kanë ditur më mirë se përfaqësuesit, qoftë edhe jo publikë të Tiranës, të ndajnë lehtësisht shapin nga sheqeri, dhe të vlerësojnë se Serbia kërkon realizimin e misionit që ajo quan të rëndësishëm përmes mjeteve diplomatike apo ekonomike, duke bërë thirrje për qetësi. Gjithçka tjetër, për liderët e Kosovës nuk ka asnjë rëndësi, ajo mbetet një retorikë kalimtare që do të shuhet në kohë. Aq më tepër, që pavarësia e Kosovës nuk qe një rrufe në qiell të pastër, por një proces i natyrshëm dhe ngushtësisht i koordinuar dhe nën përgjegjësinë e ndërkombëtarëve. Por, kjo qasje e urtë e lidershipit kosovar nuk është vetëm e këtyre ditëve. Duke ndjekur gjithë historikun e raporteve bilaterale midis dy Shqipërisë dhe Kosovës, nisur që nga qeveria e Kryeministrit Bajram Rexhep e deri tek Thaçi, liderët kosovarë kanë qenë shumë më të përmbajtur se homologët e tyre shqiptarë në emocione apo retorikë kombëtare, shumë më të qartë për pozicionin e Serbisë në raport me Kosovën dhe rajonin, akoma më shumë të kujdesshëm, që edhe në momente më të vështira se sa sot të linin hapur dritaren e dialogut. Në raundin e fundit të bisedimeve Beograd – Prishtinë ata paraqitën edhe projekt-traktatin e miqësisë me Serbinë. Në analizë të fundit, arritja deri te situata e sotme, ku brenda 48 orëve, Kosova është njohur prej një numri rekord shtetesh nga të gjithë kontinentet, dëshmon se përpos kontributit të vet, kosovarëve në radhë të parë, apo edhe të Shqipërisë, suksesi mbetet kryesisht në partneritetin e vendosur me ndërkombëtarët, NATO-s, BE-në dhe të tjerët.Por, pas festës së merituar, tashmë mbetet puna. Mbi të gjitha, në raportet rajonale kërkohet një qasje e re, për sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal. Një qasje që mund të ridimensionohet si me Maqedoninë, ashtu edhe me Serbinë dhe Republikën e Kosovës. Kam përshtypjen se kosovarët janë më të përgatitur se ne për këtë qasje të re, sepse ata kanë qenë më të qartë gjatë gjithë kësaj dekade. Kjo qasje mund t’i japë Shqipërisë një rol në rritje, duke ia bërë edhe më të lehtë rrugën e re të Kosovës. Kontaktet zyrtare të Tiranës, me Shkupin, Beogradin duhet të vinë drejt institucionalizimit për të shmangur boshllëqe të tilla, kur pothuajse pas mbi dy vitesh në pushtet Kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë takojnë njëri-tjetrin në njërin prej vendeve respektive. Ndërsa, me Beogradin gjithçka është parë dhe bërë emocionalisht, pa gjykuar ftohtësisht mbi atë çka po ndodhte gjatë kësaj dekade, e që u kurorëzua më 17 Shkurt 2008. Për shumicën e komentatorëve dhe pothuajse për gjithë politikën zyrtare të Prishtinës dhe Tiranës, të dy vendet do të takohen në Bruksel. Çështja është se cili shtet do të presë cilin në Bruksel. Gjasat janë që Kosova të mbërrijë e para dhe e meriton. E meriton për vizionin deri tek dita e sotme. E meriton edhe për shumë arsye të tjera. Të paktën se deri më sot ka zhvilluar zgjedhje të lira dhe demokratike e të gjithë pranuara. Dhe kjo është thelbësore. E meriton se për shkaqe edhe historike qytetarët e saj kanë më shumë respekt për ligjin, rregullin dhe demokracinë, e rrjedhimisht edhe më respekt e përgjegjshmëri për shtetin. E ka më të lehtë, sepse është duke u marrë prej dore nga Bashkimi Evropian. E meriton, sepse është duke u vlerësuar më seriozisht nga fqinjët dhe ndërkombëtarët. Po, Shqipëria? Përpara është përmbushja sa më e plotë dhe e pakthyeshme e gjithçkaje që pritet nga ndërkombëtarët përpara Samitit të Bukureshtit. Serioziteti institucional në reforma, në mënyrë të veçantë reformën zgjedhore, kartat e identitetit e të tjera. Adresimi gjithëpërfshirës i çështjeve më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Riformulimi i rolit të saj në arkitekturën e re të Ballkanit Perëndimor, duke patur parasysh hallkat më të dobëta të tij. Por edhe modesti për rolin e faktorit shqiptar në rajon.