E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria njeh Kosovën, nga sot me ambasadë në Prishtinë

Shqipëria nga dita e sotme do ngrejë nivelin e përfaqësimit në Kosovë në nivel ambasadorësh. Përmes një deklarate, qeveria shqiptare ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke u bazuar në Deklaratën e Kuvendit të vitit 1991.
“Duke u bazuar në Deklaratën e Kuvendit të Shqipërisë, datë 21 tetor 1991, në mbështetje të vendimit të Kuvendit të Kosovës të datës 17 shkurt 2008 për shpalljen e Pavarësisë, bazuar në të drejtën e popujve për vetëvendosje, nisur nga parimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, nesër do të thërras mbledhjen e Këshillit të Ministrave për të vendosur ngritjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërsisë dhe Republikës së Kosovës në rang ambasadorësh. Qeveria e Republikës së Shqipërisë e konsideron krijimin e Shtetit të Kosovës një ngjarje historike, që sanksionon të drejtën e qytetarëve të Kosovës për të vetëvendosur dhe që e bën Ballkanin më të lirë, më të drejtë se kurrë në tërë historinë e tij shekullore. Pavarësia e Kosovës i jep fund procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, krijon kushtet e nevojshme për zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm të të gjithë shoqërisë kosovare, përfshirë perspektivën konkrete për integrimin sa më të shpejtë të saj në institucionet evropiane dhe euro-atlantike. Me shpalljen e pavarësisë, Republika e Kosovës bëhet një aktor i denjë në arenën ndërkombëtare, faktor madhor paqeje dhe stabiliteti në rajon, me orientim të qartë euro-atlantik, faktor i rëndësishëm për paqen, stabilitetin, sigurinë, zhvillimin dhe integrimin e harmonizuar të rajonit të Evropës Juglindore”, - tha kryeministri, Sali Berisha. Në deklaratë theksohet se është e rëndësishme që shteti më i ri ka marrë angazhime në krijimin e një demokracie në mbrojtje të të drejtave të minoriteteve, duke u bazuar në paketën ‘Ahtisaari’. “Qeveria e Republikës së Shqipërisë përshëndet angazhimin e Kuvendit të Kosovës në Deklaratën për Pavarësinë për zbatimin e paketës ‘Ahtisaari’, si dhe ftesën për të mirëpritur praninë ndërkombëtare civile dhe ushtarake të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s në Kosovë.
Qeveria shqiptare përshëndet angazhimin e qartë të autoriteteve zyrtare në Deklaratën Pavarësisë së Kosovës, për ndërtimin në Kosovë të një shoqërie demokratike, laike dhe shumetnike, ku, pavarësisht nga përkatësia etnike, çdo banues i saj ta ndjejë veten qytetar të lirë në shtëpinë dhe pronën e tij të barabartë përpara ligjit, duke garantuar kështu mbrojtjen dhe nxitjen e të drejtave dhe lirive te individit dhe të pakicave kombëtare.
Duke konfirmuar angazhimin e plotë për respektimin e kufijve ndërkombëtarë, qeveria e Republikës së Shqipërisë është e vendosur që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me Republikën e Kosovës, të ndërtuara historikisht dhe të forcuara në vijimësi, t’i zgjerojë dhe t’i thellojë më tej, duke e shtrirë dhe institucionalizuar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha nivelet, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, nëpërmjet vendosjes së një partneriteti të ngushtë. Në këtë kuadër, Këshilli i Ministrave vendos nesër për ngritjen e përfaqësisë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, në nivel Ambasadori”, - thuhet në deklaratë.
“Qeveria e Republikës së Shqipërisë shpreh bindjen se shtetet anëtare të OKB do ta njohin Republikën e Kosovës si një kontribut real shtesë tjetër i tyre në paqen dhe sigurinë në Ballkan, duke respektuar kështu edhe vullnetin e ligjshëm të popullit të saj. Në të njëjtën kohë, qeveria e Republikës së Shqipërisë konfirmon vullnetin e saj të plotë për marrëdhënie të mira e miqësore me të gjitha vendet e tjera të rajonit, përfshirë dhe Republikën e Serbisë në perspektivën evropiane të vendeve tona”, - përfundon qëndrimi i qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›