Bush dhe Obama, takimi i parë në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti amerikan Xhorxh Bush dhe presidenti i zgjedhur i vendit, Barak Obama, kanë zhvilluar dje pasdite takimin e parë që pas zgjedhjeve të 4 nëntorit. Ashtu siç e kërkonte tradita,
presidenti i zgjedhur dhe gruaja e tij vizituan Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve. Herët e tjera presidenti i sapozgjedhur e ka vizituar Shtëpinë e Bardhë disa javë pas zgjidhjes, por kësaj here takimi mes dy presidentëve u zhvillua pak ditë pas zgjedhjeve. Një tjetër arsye e kësaj vizite të hershme ishte edhe fakti që tranzicioni politik ndodh në kohë lufte për Shtetet e Bashkuara, çka nuk ka ndodhur prej katër dekadash. Tranzicioni politik po ndodh edhe në një moment krize ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe kjo kërkon vëmendje të menjëhershme. Presidenti i ardhshëm Obama ka theksuar se ekonomia do të jetë prioriteti i tij kryesor. “Unë nuk po i nënvlerësoj vështirësitë e jashtëzakonshme që na presin. Kemi marrë disa veprime dhe duhet të bëjmë akoma më shumë gjatë periudhës së tranzicionit politik dhe muajve në vazhdim”. Obama ka thënë se ai do të veprojë me shpejtësi të qëllimshme për të formuar kabinetin e tij. Këshilltarët e tij kanë theksuar se ai e kupton rëndësinë që emërimet të jenë të shpejta, por thonë gjithashtu se presidenti i ardhshëm do të sigurohet që do të ketë njerëzit më të mirë për postet në kabinetin që do të krijohet deri më 20 janar. Ekipi i tranzicionit të presidentit të zgjedhur Obama drejtohet nga Xhon Podesta, i cili në një intervistë u shpreh se ekipi i zotit Obama po lëviz me shpejtësi për të krijuar ekipin ekonomik bazë, ekipin e sigurisë kombëtare dhe njoftimet për këto poste do të bëhen kur ato të jenë gati. Sipas zotit Podesta, administrata e ardhshme po kështu po sheh nga afër urdhrat ekzekutive të nënshkruara nga presidenti Bush të cilat bien ndesh me pikëpamjet e zotit Obama.
“Ata po japin urdhra, si për shembull për studimet me qeliza embrionale apo fusha të tjera. Siç e shihni, edhe sot administrata e zotit Bush po lëviz me agresivitet për të bërë gjëra kundër interesit të vendit”. Ai tha se këto urdhra ekzekutive mund të pësojnë ndryshime apo të anulohen lehtësisht nga administrata e re pasi për këto ndryshime nuk ka nevojë për miratimin e Kongresit. Por megjithë mospajtimet përsa u përket çështjeve politike, presidenti Bush dhe presidenti i zgjedhur Obama po bëjnë çmos për të theksuar vullnetin e tyre për bashkëpunim gjatë periudhës së tranzicionit. Zoti Bush ka urdhëruar stafin e tij që tranzicioni politik të jetë sa më i qetë. Ndërsa zoti Obama ka theksuar disa herë se Xhorxh Bush do të jetë presidenti i Shteteve të Bashkuara deri më 20 janar. Mbase për këtë, presidenti i ardhshëm nuk do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë ekonomik botëror që zoti Bush do të drejtojë më 15 nëntor.
11 Nentor 2008