E Diel, 1 Nëntor 2026

“Onufri 2008” i besohet italianit Rikardo Kaldura



Petrika GROSI
Edicioni XV i Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri”, që zhvillohet përvit në Galerinë Kombëtare në Tiranë, sivjet i është besuar kuratorit nga Italia, Rikardo Kaldura. Lajmin e pohon vetë GKA, përfaqësuesit e së cilës shprehen për median se “Këshilli Organizativ i Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Vizive ‘Onufri’ vendosi që edicioni XV i kësaj ekspozite të hapet më 18 dhjetor 2008, në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë. Ai do të qëndrojë hapur për gjashtë javë të plota kalendarike deri më 29 janar 2009. Drejtimin kuratorial të Edicionit të XV të ‘Onufrit’, Këshilli Organizativ vendosi t’ia besojë italianit Ricardo Caldura, i cili është një personalitet i njohur artistik në Itali dhe gjithashtu ka një njohje të konsiderueshme të skenës artistike shqiptare, sepse e ka vizituar disa herë Shqipërinë. Kaldura aktualisht mban postin e docentit për Fenomenologjinë e Arteve Bashkëkohore në Akademinë e Arteve të Bukura të Venecias dhe është drejtor i Galerisë Bashkiake Galleria Contemporanea, të Venecias. Në qershor të 2007-s, ai ka organizuar një ekspozitë të artit bashkëkohor shqiptar në galerinë që drejton. Ftesa që i është bërë artistit italian për kurimin e këtij evenimenti konsiderohet nga GKA si risi e kësaj ngjarjeje artistike, pasi është hera e parë në historinë e këtij aktiviteti që zgjidhet një kurator i huaj. Kaldura do të jetë në metropol më 18 nëntor ku pritet të dalë edhe në një konferencë për shtyp para mediave shqiptare dhe artistëve, studiuesve e kritikëve. Çmimi ndërkombëtar “Onufri 2008” do të jepet nga një juri ndërkombëtare, e cila do të shqyrtojë të gjitha prurjet e paraqitura në ekspozitë. Sa i takon Rikardo Kaldurës, ai ka një eksperiencë të kënaqshme në lidhje me ekspozitat dhe kurimin e tyre, artin bashkëkohor, teorinë dhe kritikën. Eksperienca e artistit italian është e gjerë. Kaldura ka punuar në Vienë, Monako, Marsejë etj., ku në galeri dhe muze të ndryshme është kurator i disa ekspozitave. Duke filluar nga viti 1989 dhe 1992, ai bashkëpunon me Peter Waterhouse dhe Maria Fehringer. Kuron publikimet e para në gjermanisht të veprës së Biagio Marin si në revistë, ashtu edhe në volumin e Rowohlt, Urs Engelerl. Në vitet e fundit ka bashkëpunuar si konsulent dhe kurator me Bashkinë e Venecias, duke organizuar eventet “Një botë e hollë” - arti italian në vitet ‘90, “Alberto Viani“, “Tokë e palëvizshme” dhe seksionin e ekspozitës “Dhurata - The gift” në qendrën “Candiani” në Mestre. Kohët e fundit, (2002 - 2005), Rikardo Kaldura ka organizuar në bashkëpunim me administratën veneciane projekte ndërmjet artit kontemporan, territorit dhe shoqërisë civile si “Urbanlab - Laboratori urban për artin kontemporan” (cikël konferencash); “Rezerva artificiale” (Bienale e arteve vizive 2003 në Marsejë, Venecia); “Kreativiteti për të bërë qytetin“ (projekte artistike mbi territorin), etj. Ndërsa vitet e kaluara për “Onufrin” gjithmonë ka pasur diskutime, debate, madje deri te skandalet dhe anulimet e çmimeve, le të shpresojmë se kësaj here gjithçka do të shkojë mbarë.

11 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›