E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëri: EULEX-i, një vazhdues i UNMIK-ut



Përfaqësuesit e UNMIK-ut, përkatësisht të OKB-së dhe Bashkimit Europian, kanë arritur marrëveshjen në parim me qeverinë e Serbisë për modalitetet e shtrirjes së EULEX-it në Kosovë dhe për bashkëpunimin e Beogradit me UNMIK-un në gjashtë pikat e Ban Ki-Munit. Kështu shkruan gazeta “Zëri”, duke iu referuar burimeve diplomatike perëndimore. Bëhet fjalë për gjashtë fushat e specifikuara nga letra e kreut të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, dërguar presidentit serb Boris Tadiç: policia, gjyqësia, doganat, kontrolli i kufirit, transporti dhe trashëgimia kulturore dhe fetare. Gazeta pohon se gjashtë pikat e sekretarit Ban ”janë bashkuar” me kushtet prej tri pikash të Tadiçit rreth EULEX-it, duke “rezultuar me një marrëveshje”, e cila pritet të prezantohet nga kreu i OKB-së në raportin periodik për Kosovën sot, më 11 nëntor. Burime diplomatike po ashtu i kanë thënë kësaj gazete se marrëveshja është “me dykuptimësi” dhe mund të bëhet “burim mosmarrëveshjesh”, kurse EULEX-i do të jetë një “vazhdues i UNMIK-ut”. Në numrin e djeshëm, “Zëri” ka botuar edhe Marrëveshjen e UNMIK-ut me Qeverinë e Serbisë sipas gjashtë pikave të Ban Ki Munit.

Çështja e emrit të Maqedonisë nuk do të jetë prioritet për Obamën

E përditshmja greke “Katimerini” ka shkruar se Greqia pret përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-të, por jo ndryshimin e qëndrimit amerikan për çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë.
Duke iu referuar burimeve diplomatike, gazeta shkruan se deklaratat e presidentit të zgjedhur amerikan, Barak Obama, lidhur me çështjen e emrit dhe çështje të tjera me interes strategjik për Greqinë do të jenë plotësisht të balancuara. “Sipas diplomacisë greke, çështja e emrit kushtetues të Maqedonisë dhe problemi i Qipros nuk do të jenë prioritete për administratën e re amerikane”, - shkruan Katimerini. Ndërkaq, shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojanis, zgjedhjen e Obamës për president të SHBA-ve e sheh si shpresë për Greqinë. Bakojanis për agjencinë e lajmeve “Ana-mpa” ka deklaruar se Obama derisa ka qenë senator gjithmonë i ka mbështetur rezolutat dhe propozimet, të cilat kanë qenë në linjë me interesat greke, kurse Maqedonisë i është drejtuar me referencën IRJM.

11 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›