E Shtunë, 31 Tetor 2026

Henri: “Ronaldo nuk krahasohet me Mesin”



Sulmuesi i Barcelonës, Tieri Henri, pohon se Kristiano Ronaldo nuk e meriton të fitojë “Topin e artë” për këtë vit. Francezi: “Mesi është lojtari më i mirë në botë”. Kur kanë mbetur edhe vetëm tri javë nga publikimi i futbollistit europian të vitit, apo siç njihet ndryshe fituesit të “Topit të artë”, në garën e madhe duket se janë dy nga talentet më të mëdhenj të botës, Kristiano Ronaldo i Mançesterit dhe Lionel Mesi i Barcelonës.
Në garë janë dhe Iker Kazijas, Ksavi e Fernando Torres, por beteja e vërtetë është “kufizuar” midis portugezit të “Djajve të kuq” dhe argjentinasit të “blaugrana”-sve. Mesi deklaroi se edhe Ksavi apo Serxho Aguero e meriton të fitojë “Topin e artë” nga lista prej 30 lojtarëve të dominuar, ndërkohë që Ronaldo nuk e ka fshehur se është ai që e meriton trofeun prestigjioz. Sulmues francez i Barcelonës, Tieri Henri, mbushtet 21-vjeçarin e klubit të tij, duke e konsideruar Mesin si lojtarin më të mirë të kontinentit, dhe natyrisht që edhe në botë. Ish-kapiteni i Arsenalit, i cili përfundoi i treti në vitin 2006 pas dyshes italiane Fabio Kanavaros e Xhanluixhi Bufonit tha: “Mesi është më i miri. Ato që bën ai janë të një bote tjetër. Ai është i jashtëzakonshëm. Pasi pashë ndeshjen e Arsenalit kundër Mançester Junaitid, unë këmbëngul se Kristiano Ronaldo është një gjë dhe Mesi një tjetër. Nuk ka asnjë krahasim. Mesi e meriton ‘Topin e artë’ këtë vit”.

11 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›